1. Greqia, 695 fshatra shqiptare
Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3
milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip. Çfarë zbuluan dhe
dokumentuan priftërinjtë arbëreshë Antonio Belushi dhe Jani Kapareli nga viti
1965 deri në 1995. Rrënjët arbërore që zgjaten deri në Athinë dhe represioni i
autoriteteve greke në vite
DOKUMENTI / Recensioni i prof. Peter Priftit (1924-2010) mbi veprën “Kërkime dhe
studime ndër arbërorët e Helladhës – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën
arbërore në Helladhë”*. Vepër e Papa Andon Bellushit, botuar me 1994
Faksimile e kopertinës së librit të Antonio Bellusci-it “Ricerche e studi tra gli arberori
dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Kërkime dhe
studime ndër arbërorët e Greqisë – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën
arbërore në Greqi)
Në ditët tona vëmendja e botës shqiptare është përqendruar me të drejtë në çështjen
e madhe të Kosovës. Ajo përbën sot fushën më të madhe të luftës për liri nga një
zgjedhë e rëndë, për pavarësi dhe për bashkimin eventual të të gjithë trojeve
shqiptare. Shkurt, është çështja kyç që i jep formë dhe frymë çastit historik para të
cilit gjendet sot bota shqiptare.
2. Megjithatë, shqiptarët një sy dhe një vesh e kanë patur gjithmonë në drejtim të
shqiptarëve të Greqisë. Në një mënyrë ose tjetër, janë interesuar për fatin e
vëllezërve dhe motrave çame, si edhe për gjendjen e shqiptarëve të vjetër, që u
vendosën gati kudo në Greqi që në kohët e lashta të mesjetës.
Një nga këta shqiptarë është prifti i njohur arbëresh, Andon Bellushi (Papa Antonio
Bellusci). Të parët e tij, ashtu si të parët e shumicës së arbëreshëve, emigruan nga
Greqia që në kohën e Skënderbeut, në vitin 1434. U larguan që të mos binin në duart
e shkelësve turq. U larguan me lot në sy që të ruanin mënyrën e jetës së tyre, gjuhën
shqipe dhe çdo gjë të shtrenjtë, të trashëguar brez pas brezi nga gjyshët dhe
stërgjyshët e tyre.
MALLI PËR MORENË
I nxitur nga një mall i papërshkrueshëm për vendin e prejardhjes, për Morenë e
bukur, papa Bellushi udhëtoi në Greqi për të parën herë në vitin 1965. Ai udhëtoi atje
jo vetëm si një “pilgrim” i përmalluar, por edhe si njeri i shkencës, si etnograf i
pasionuar për të mbledhur folklorin e “arbërorëve”, sikundër quhen zakonisht
shqiptarët e Greqisë. (Një tjetër emër për ta është “arvanitë”). Pas vizitës së parë, ai
u kthye herë pas here në Greqi, për të vazhduar dhe rafinuar punën e nisur.
Ky libër: “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, është fryti i asaj pune të
madhe. Në këtë vëllim Bellushi vë në dukje lidhjen e ngushtë që ekziston midis
arbëreshëve dhe arbërorëve. Në një takim me arbërorët në Tebë më 1990, ai tha:
“Ne flasim ashtu si flisni ju këtu… Kemi gjuhën tuaj, zemrën tuaj. Kemi ritin (fenë)
tuaj. Kemi emrin tuaj.” (f.173) Kënga e Moresë, ka thënë Bellushi, “mbajti të gjallë në
zemrat tona nostalgjinë për Morenë”. Këtë ndjenjë e ka shprehur bukur edhe
peshkopi arbëresh Ercole Lupinacci me fjalët: “E kemi pasur gjithmonë këtë dëshirë
të fortë, të njihemi me Dheun e gjyshëve, që i kujtojmë me mall në këngët tona
popullore.” (f.101) Lidhja me shqiptarët e Greqisë duket në emrat e vendeve
(toponimet) dhe fshatrave të arbëreshëve, në emrat e tyre personale, në shërbesat
fetare, dhe, mbi të gjitha, në mënyrën e të folurit, në gjuhën e tyre të përditshme. Nga
bisedat që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se shqiptarët e Greqisë dhe ata të
Italisë nuk kanë aspak vështirësi për t’u marrë vesh, për të komunikuar me njëri-
tjetrin, sepse të dyja palët flasin të njëjtin dialekt – një toskërishte të vjetër. (Është një
dialekt ky që tingëllon disi arkaik në veshin e folësit të shqipes moderne). Të bëjnë
përshtypje takimet dhe bisedat shumë të ngrohta që pati Bellushi me arbërorët. Ai u
prit me plot përzemërsi dhe u nderua si vëlla sepse – siç u shpreh historiani arbëror,
Aristidhis Kolljas – ai dhe arbërorët hodhën “urën midis Greqisë dhe Italisë që të gjejë
vëllai vëllanë”. (f.92)
3. ARRITJET E PUNËS ME ARBËRORËT NË GREQI
Duke filluar nga viti 1965, autori i kësaj vepre “fotografoi” gjuhën dhe zakonet e
arbërorëve me kujdesin dhe ndërgjegjen e shkencëtarit, duke i inçizuar me trak.
Gjatë afro 30 vjetëve ai mblodhi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e
arbërorëve: përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime –
trashëgim kulturor ky i ruajtur shekuj me radhë. Regjistrimet e bisedave dhe këngëve
përbëjnë material të pastër etnografik, sepse Bellushi i la njerëzit të flisnin dhe të
këndonin shqipen që dinin. Pra, i mori ato dhe i botoi në këtë libër ashtu siç ia dëgjoi
veshi, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar.
Ja, disa nga rezultatet e punës së palodhur që bëri në Greqi. Sa shqiptarë ka në
Greqi, nuk dihet saktësisht. Po një arbëror i shkolluar në Athinë i tha autorit se në
Greqi ka 3 milionë “arvanitë”, veçse jo të gjithë flasin shqip. (f.59) Libri ka një listë të
gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët – 696 fshatra në nja 15
krahina. Në këtë listë gjen emra fshatrash si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga,
Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me
emra të njohur të arbëreshëve në Itali.
Bellushi u njoh mirë me kulturën e lashtë të arbërorëve. Besa e shqiptarit, thotë ai,
rron në trojet e shqiptarëve të Greqisë. Ata krenohen me këtë kryevirtyt të racës
shqiptare, të cilën e shprehin me frazën, “arvanit-besalith”. Ne “nuk themi fjalë në
erë”, i tha një arvanit papa Bellushit.(f.135) Për të zbuluar botën e tyre të përditshme
në mënyrë më të imtë, Bellushi i pyeti arbërorët për gjërat më të thjeshta.“Si e bëni
bukën, djathin?Si i punoni vreshtat?Si i rrjepni dhitë?Si i ruani bagëtitë nga
ujqit?”Pastaj pyet çfarë zogj kanë andej, si u thonë maleve që kanë afër, cilët janë
katundet arbërore rreth e përqark? I pyet, gjithashtu, të recitojnë numrat (l,2,3…),
ditët e javës dhe muajt e vitit. Përgjigjet që mori ishin pothuaj të njëjta nga një krahinë
te tjetra, gjë që tregon se në thelb kultura e shqiptarëve në Greqi është e njëjtë
kudo.Autori mblodhi me qindra këngë, shumica e të cilave bëjnë fjalë për
dashurinë.Ja, disa radhë të shkëputura nga këto këngë:
Eja të të puth një herë,
Tani që kam pirë verë.
Prapa malit kam një pus,
Eja vashë të të puth.
Prapa malit kam shtëpinë,
Eja vashëzë të rrimë.
4. Libri hedh dritë edhe mbi figurat arbërore që i kanë bërë shërbime të çmuara popullit
shqiptar në Greqi, burra si: I ndjeri Jorgo Marougas, redaktor i shquar i revistës
“Dialogoi”, Aristidhis Koljas, autori i librit “Arvanites” (1983), veprës kryesore për
njohjen e arbërorëve, Vangjelis Ljapis, folklorist, autor dhe avokat për mbrojtjen e të
drejtave të arvanitëve; dr. Jorgo Haxhisotiriov, i njohur si mjek në Athinë, si
shkencëtar dhe si mbledhës i folklorit arbëror. Ka edhe të tjerë.
GJENDJA E GJUHËS SHQIPE
Arbërorët janë krenarë për gjuhën e tyre. Një nga këngët që këndojnë në krahinën e
Korintit thotë:
Kjo gjuhë arbërishte
Është gjuhë trimërishte.
E fliste Admiral Miaulli,
Boçari dhe gjithë Suli (f.327)
Nga intervistat e shumta që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se ata e duan
gjuhën shqipe me zemër, dhe kënaqen kur flasin shqip.Prandaj kanë merak ta ruajnë
dhe t’ua lënë trashëgim fëmijëve.Ky merak duket edhe në ndonjë këngë të tyre, si,
p.sh. në radhët: “Arvanitete të këndomi/ Gluhenë të mos harromi”. Papa Bellushi
pyeti herë pas here kudo që vajti: “Do të rrojë gjuha arbërore?” “Nuk e di,-iu përgjegj
një burrë,-sepse është një gjuhë që nuk mësohet në shkollë dhe nuk shkruhet”.Dhe
vërtet bisedat e Bellushit me arbërorët zbuluan një konflikt midis atyre që duan ta
ruajnë gjuhën me çdo kusht, dhe atyre që preferojnë greqishten, sepse ajo
shkruhet.Po në përgjithësi ata kanë besim në të ardhmen e gjuhës. Kanë po ato
ndjenja që shfaqi një plak nga Korinthi kur tha: “Unë kam tri vasha me shkollë. Po kur
më vinë këtu në shtëpi, flasin arbërisht.Greqishten nuk e flasim neve këtu”. (f.349)
Gjatë gjithë udhëtimeve që bëri në Greqi, meraku më i madh i papa Bellushit ishte
për gjuhën shqipe, por edhe për kulturën e arbërorëve, dhe me të drejtë, sepse nga
të gjitha anët ai dëgjoi ankime për grekët.Grekët nuk lejojnë hapjen e shkollave
shqipe.Nuk i lejojnë shqiptarët as të këndojnë këngët e tyre.“S’kemi mundësi të
shkruajmë gjuhën tonë,” thotë arbërori.“S’kemi botime, as fetare, as popullore, as
letrare. S’na lejojnë… Jemi si një trup pa shpirt”.(f.426) “Këtu gjuha jonë flitet vetëm
midis mureve të shtëpive.Ajo s’ka banesë as në liturgji, as në shkollë, as në shtyp,
askund”.Kështu foli plaku 72- vjeçar Dhimitri Gonos në More.(f.419) Priftërinjtë i
ndalojnë fëmijët arbërorë të flasin shqip, se “është e mallkuar”.Një burrë i tha
Bellushit se kur ishte djalë i vogël në shkollë, mësuesi i rrihte nxënësit shqiptarë po të
thonin ndonjë fjalë shqip, dhe i detyronte të shkruanin ato fjalë njëqind herë në
dërrasën e zezë. (f.233)
5. Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th.pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur
ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet. Edhe emrat shqip të fshatrave të
tyre nuk i durojnë, dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra greke.(Megjithatë,
populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip).Thonë se shqiptarët nuk
ekzistojnë fare. Përgjigjen shqiptarët: “Një e rremë e madhe! Në Korinth, në Beoci, në
Atika, në Eube, në Argolidhë, në More, në Thebe arbërorët i gjen si milingonat nga të
gjitha anët”. (f.426)
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në Revolucionin për Pavarësinë e
Greqisë.“Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”, thonë ata me këmbëngulje.Por kjo e
vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve.Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të
herojve të revolucionit grek si Boçari, Miaulli, Xhavella, Kollokotroni, etj.duke thënë se
ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!! Më e keqja është se ka edhe
arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë.E mohojnë kombësinë e tyre dhe
zemërohen po t’ua kujtosh.
UDHËTIM NË MORE MË 1970
Me interes të veçantë është udhëtimi që bëri Bellushi në More më 1970, i shoqëruar
nga prifti arbëresh Jani Kaparelli.Përshkrimi i këtij udhëtimi përbën një dokument me
vlerë të rrallë. Në hapësirën e gati 20 faqeve, (409-427), autori shkruan për mallin e
pafund që kanë arbëreshët për Morenë, sepse, sikurse thotë ai, arbërorët e Moresë
dhe arbëreshët “janë lidhur ngushtë nga historia, nga gjuha e nga besa… Jemi si
mish e thua”.Ai bën fjalë për takimet e ngrohta bisedat e përzemërta, këngët që
kënduan së bashku me shqiptarët e Moresë, të cilat mishëronin gëzimin e tyre të
përbashkët, hidhërimin, vajtimin, besën, mundimet, dhe afërsitë shpirtërore që kanë
njohur gjatë shekujve.
Pastaj shkruan për prelatin simpatik grek të Moresë, dhespot Stefanos i cili, ndryshe
nga qëndrimi zyrtar i grekëve, i mirëpriti arbëreshët dhe tha me gojën e tij se, “këtu
janë shumë katunde arbërore”.(f.415) Madje, ai lëshoi një kartë, të hartuar në formën
e një “leje” për vizitorët, ku ai përmendte me emër fshatrat e Moresë që donin të
vizitonin Bellushi dhe Kaperelli.
“Ky është i pari dokument grek”, thotë Bellushi, “ku shkruhet se në More gjenden
edhe sot katunde arbërore!” Dhe si i tillë “ka një rëndësi historike të madhe”. (f.416)
6. VEPËR E DENJË SHKENCORE
Me botimin e këtij vëllimi, Andon Bellushi ka vënë në duar të lexuesve një vepër që
ndriçon jo vetëm gjendjen e shqiptarëve të Greqisë, por edhe të arbëreshëve. Vepra
e tij ka material të gjerë të mbledhur në terren, nga një kërkues i pasionuar “që ulet
gju më gju analfabetët e të papërfillurit”, sikurse thotë prof. Gjovalin Shkurtaj i
Universitetit të Tiranës, “duke regjistruar… gjithçka që ata mbajnë mend”. Prof.
Shkurtaj e cilëson veprën si “një enciklopedi të tërë të jetës, shpirtit, kulturës, dokeve
(traditave), zakoneve, dhe gjuhës që flitet edhe sot në komunitetet e moçme të
shqiptarëve në Greqi”.
Në mënyrë shkencore autori vë në dukje botën e shqiptarëve që zbuloi në tokën e
Greqisë, që do t’u vlejë dijetarëve dhe studentëve të historisë, gjuhësisë dhe folklorit.
Njëkohësisht, duke iu përmbajtur kritereve shkencore që kërkonte puna e tij, ai
paraqet edhe ndonjë të metë, dobësi apo konflikt që gjeti midis arbërorëve. Një nga
gjërat që ia rritin vlerën librit dhe e bëjnë atë më interesant, janë fotografitë e shumta
që ilustrojnë faqet e tekstit. Ato fiksojnë fytyrat e personave që takoi autori gjatë
vizitave në Greqi; rrëfejnë, gjithashtu, edhe diçka nga jeta e tyre: veshjet, dhomat e
shtëpive, kisha, monumente, peizazhe. Dy tipare të tjera të librit janë hartat, që
tregojnë fshatrat arbërore me emër, dhe qindra e qindra shënime “notes” (në italisht),
që e bëjnë tekstin më të qartë për lexuesin.
Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeti autori në Greqi, për shkak të
shtypjes së gjuhës dhe kulturës së tyre, ai nuk u dekurajua, nuk u dorëzua. I mbrujtur
me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që
buron nga thellësia e shekujve), papa Bellushi, më se fundi, del fitues si etnograf, si
shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i Besës shqiptare. Ai e afirmon vetveten si optimist
për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë.Shpirti i Arbërit rron, thotë Bellushi, “i
freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore rron dhe do të rrojë, se “ajo ka
rrënjë të thella”, dhe “flitet nga të mëdhenjtë e nga të vegjlit”. (f.424)
***
Teksti i këtij libri është në dy gjuhë: shqip dhe italisht (me disa faqe edhe në
greqisht). Pjesa më e madhe e lëndës është në gjuhën shqipe.Teksti italisht është,
në të vërtetë, një përkthim disi i përmbledhur i tekstit shqip. Megjithatë, emri i autorit
dhe titulli i librit në kapakun e veprës janë në gjuhën italishte, si pason: Antonio
Bellusci, “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a
matrici arberore in Grecia.”Libri ka një hyrje nga Aristidhis Kolljas, kryetar i Shoqatës
Kulturore Arbërore “Mark Boçari” në Athinë, dhe një parathënie nga prof. Gjovalin
Shkurtaj i Universitetit të Tiranës.U botua nga Qendra për Kërkime Socio-Kulturore
“G.Castriota, Cosenza, Itali, 1994, 500 faqe.
*Shënim: Citatet nga bisedat dhe këngët e abërorëve janë shkruar gati të gjitha në
shqipen e njësuar letrare, për ta bërë më të lehtë leximin e tyre. – P.R.P.
San Diego, California
Shkurt, 1996
7. Peter R. Prifti
Peter Prifti (1924-2010) lindi në Rehovë (Kolonjë) më 1924. Pasi kreu shkollën fillore
në fshat dhe Plotoren në Ersekë, emigroi në Amerikë më 1940. Peter Prifti mbaroi
shkollën e mesme, pastaj u diplomua për art e letërsi në Penn State College.Vazhdoi
studimet në University of Pennsylvania ku fitoi gradën shkencore “Master of Art
Degree in Philosophy” (1955).Punoi redaktor në gazetën “Dielli” dhe sekretar i
“Vatrës” (1958-1960), përvojë e cila e ndihmoi të njihte nga afër Fan Nolin dhe
komunitetin shqiptar.Për 15 vjet ishte konsulent për çështjet shqiptare në M.I.T.
(Massachusets Institut of Technology) qendër e shquar e studimeve
ndërkombëtare.Më 1976 University of California, Dega e Linguistikës e mori si
pedagog sapo hapi katedrën e Gjuhës Shqipe.Jetonte në San Diego, Kaliforni. Është
autor i librave “Socialist Albania since 1944”; “Remote Albania – The politics of
isolation”; “Confrontation in Kosova, The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999”; “Land
of Albanians: A crossroads of Pain and Pride”; “Mozaik Shqiptar”; “Unfinished Portrait
of a Country”.
Aristidh Kola
Aristidh Kola (1944-2000) është jurist, studiues, publicist, shkrimtar, veprimtar i
guximshëm për çështjen kombëtare, kryetar i shoqatës së arvanitasve të Greqisë
“Marko Boçari”.Mbante lidhje dhe bashkëpunoi me personalitetet e diasporës në
Amerikë e Turqi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, arbëreshët e Italisë dhe Korsikës.
Është autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”,
“Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korregjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori
krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviçit”, “Kënga e
mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko
Boçarit”, etj.
Nxorri revistat “Besa” dhe “Arvanon”.Në vitin 1999 përkrahu në mediet greke
bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe UÇK-në.Është hedhur në gjyq dhe
kërcënuar me vdekje nga qarqet ultranacionaliste greke.
Dekoruar nga ish-Presidentët e Shqipërisë Sali Berisha dhe Rexhep Meidani, si dhe
nga kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi.Është “Qytetar nderi i Skënderajt”.
8. Andon Bellushi (Antonio Bellusci)
Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në
Frashinetë të Kozencës, (Itali).Diplomuar për filozofi e teologji.Ka shërbyer si prift
famullitar arbëresh.Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore
dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar
studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”,
“Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike
në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende,
kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë
fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite
dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në
Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër
Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar
nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.
Zgjodhi dhe përpunoi: Bajram Osmani DardaNet Media 2012
E-Mail:bajramosmani@online.de