Projektpropozimi i temëssë punimit të tezës së masterit
Titulli i temës: Shqipja dhe përdorimi i standardit të saj në tekstet tona shkollore
Abstrakti
Ky studim mbështetet në njohuritë e fituara gjatë punës sime relativisht të gjatë
pedagogjike-metodike si mësimdhënëse në procesin edukativo-arsimor dhe në interesimin tim
për temën e masterit “Shqipja dhe përdorimi i standardit të saj në tekstet tona shkollore”, si dhe
në vullnetin dhe këmbënguljen për të sjellë një studim më të thelluar dhe me vlera profesionale-
shkencore.
Tekstet shkollore janë dokumente shkollore, ku shtjellohen njohuritë dhe përmbajtjet
shkencore të një lënde, të caktuara në pajtim me kërkesat e programit, mjete pune për nxënësit,
një nga burimet kryesore për të fituar njohuri e shprehi mësimore-edukative dhe në të njëjtën
kohë mjete për organizimin dhe zhvillimin e punës së pavarur.
Së bashku me programet mësimore, tekstet shkollore përcaktojnë brendinë e të mësuarit
në shkollë. Që tekstet shkollore të bëhen mjete të vërteta pune për nxënësit, ato duhet të jenë të
qarta, duke respektuar standardin gjuhësor dhe ligjësitë e gjuhës shqipe, të mos kenë shprehje
abstrakte, të tepërta, që përbëjnë mbingarkesë; të kenë material të kapshëm për moshën që
kërkon formimi i nxënësve në një lëndë të caktuar etj.
Tekstet shkollore te ne, ashtu si dhe në gjithë botën demokratike, janë pra, burimi kryesor
i informacioneve për realizimin e procesit edukativo-arsimor në shkolla. Në këtë kontekst, për
suksesin apo mossuksesin e arritjes së objektivave të përcaktuar në programet e reja mësimore,
rolin kryesor në shkolla e kanë tekstet shkollore. Sa janë tekstet shkollore funksionale dhe sa e
ndihmojnë dhe e lehtësojnë procesin mësimor, kjo varet nga cilësia, përgatitja dhe qasja me të
cilën autorët i hartojnë tekstet shkollore, vështruar nga më shumë pikëpamje.
Përveç vështrimeve dhe analizave vetjake që do t’u bëhen teksteve shkollore, për
hulumtimin e çështjes së shtruar do të përdoren edhe pyetësorë, të cilët do të shpërndahen nëpër
disa shkolla fillore, me ç’rast do të anketohen mësimdhënës, nxënës si dhe prindër të nxënësve
dhe pastaj në punim do të vihen në pah vështirësitë që hasin mësimdhënësit dhe nxënësit në
tekstet shkollore të gjuhës shqipe. Po ashtu do të shkruhet për përshtatshmërinë ose jo të atyre
teksteve në krahasim me moshën e nxënësve, për zhvillimin e shkathtësive komunikuese përmes
1
2.
tyre, gabimet gjuhësoreqë u përvidhen autorëve e të cilat barten edhe te nxënësit dhe ndikojnë
në kultivimin e kulturës gjuhësore të tyre etj.
Fjalët kryesore (kyçe): tekstet shkollore, gjuha standarde, shkathtësitë komunikuese,
botime të reja, gabime materiale, gabimet drejtshkrimore, gabime gramatikore etj.
Hyrje
Arritja dhe zbatimi i një kulturë gjuhësore në shkallë më të lartë është kusht qenësor, si
në procesin edukativo-arsimor, ashtu dhe në fushat tjera të jetës sonë. Për kultivimin, ngulitjen
dhe zbatimin e normës letrare, rol dhe përgjegjësi të veçantë kanë shkollat duke pasur për bazë
tekstet shkollore. Periudha e pasluftës konsiderohet si periudhë e procesit të reformës arsimore
në të gjitha nivelet e arsimit formal të Kosovës dhe, krahas saj edhe ndryshimi dhe përsosja,
avancimi i teksteve shkollore të gjuhës shqipe, si nevojë dhe domosdoshmëri për ngritjen e
cilësisë në arsim në përgjithësi dhe të nxënësve të shkollave tona në veçanti.
Autorë të teksteve shkollore kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje të pareshtura për
ndryshime cilësore: në strukturën dhe përmbajtjen e teksteve të shkollave tona, duke u liruar nga
ideologjizmat, shabllonet dhe stereotipat që e kanë përcjellë shkollën tonë me vite të tëra, me
synim për të pasuruar tekstet me përmbajtje më të kapshme, pyetje, detyra, ushtrime, ilustrime,
fotografi, të cilat u përshtaten më denjësisht moshave të nxënësve tanë. Si dëshmi e
pamohueshme në këtë rrafsh mund të shërbejë krahasimi i teksteve shkollore të gjuhës shqipe në
përdorim me ato që tashmë janë jashtë përdorimit.
Rëndësia e teksteve shkollore në vendin tonë, si burim kryesor për nxënie, është një ndër
faktorët kryesor në zhvillimin e procesit edukativo-mësimor, ndërsa qasja metodologjike e
mësimdhënësit, si interpretues i njohurive, duhet të mbështetet në përdorimin e strategjive të reja
të mësimdhënies dhe të nxënit në mësim për t’ua bërë nxënësve më të lehtë dhe më të kapshme
ecjen në rrugën e tyre të dijes dhe të rritjes intelektuale.
Thënia e Marko la Pianës: “Në qoftë se për të gjitha gjuhët çështja e pastërtisë është me
rëndësi të madhe, për gjuhën shqipe ajo ka rëndësi jetësore” na shpie tek thelbi i problemit të
këtij punimi, i cili do të pykëzohet kryesisht në aspektin gjuhësor dhe metodologjik të teksteve të
gjuhës shqipe, të vështruara nga më shumë pikëpamje, të cilat do të ndihmojnë në avancimin e
teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe për funksionimin praktik të tyre. Të dhënat e këtij
hulumtimi do të jenë të dobishme, jo vetëm për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë të cilët
ballafaqohen në çdo kohë me këtë problematikë, por edhe për autorët e teksteve të gjuhës shqipe,
për hartuesit e kurrikulave të gjuhës shqipe dhe për të interesuarit e tjerë.
2
3.
Rishikim i literaturës
Çështjene teksteve shkollore e kanë diskutuar shumë autorë vendorë dhe të huaj, të cilët
kanë shprehur këndvështrime të ndryshme. Derisa disa prej tyre janë përqendruar tek përmbajtja,
në atë se çfarë duhet të mësojnë nxënësit, në përdorimin e standardit të gjuhës në ato tekste, disa
të tjerë interesimin e tyre kanë shprehur përkitazi me rezultatet e pritura, të cilat pasqyrojnë se
çfarë duhet të jenë në gjendje të dinë dhe të bëjnë nxënësit.
Për tejkalimin e problemeve që hasen dhe domosdoshmëria për t’i siguruar një të ardhme
më të mirë zbatimit të normës gjuhësore, është pikërisht shqipja e standardizuar në tekstet
shkollore, më konkretisht gramatika e saj. Vetëm pak kohë më parë, gjatë prezantimit të Fjalorit
të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, gjuhëtari Rami Memushaj u shpreh për gazetën “Panorama”
se “Dhjetë vjet më parë ne kemi folur për shtypin, për televizionin, por po shikojmë që shtypi i
shkruar po tregon një vëmendje për t’u përgëzuar në zbatimin e normave të gjuhës standarde.
Ndonëse shtypi ka një ngarkesë shumë të madhe, ka arritur t’i kushtojë kujdesin dhe vëmendjen
e duhur, kurse shkolla ka mbetur më mbrapa në këtë rrafsh...”, ngase tekstet shkollore kanë
shumë gabime. Të gjithë ata që kanë fëmijë në shkollë e hetojnë këtë gjendje. Andaj, duke pasur
parasysh pasojat e përdorimit të larmishëm të drejtshkrimit tonë të njësuar, tashmë kur është
shtuar nevoja e përvetësimit të tij nga të gjithë, veçanërisht autorët e teksteve shkollore, redaksitë
e botimeve tona, respektivisht komisionet e veçanta dhe lektorët e teksteve, duhet të ndjejnë një
përgjegjësi më të madhe në respektimin e standardit të gjuhës sonë. Shefkije Islamaj në veprën e
saj Gjuha, ligjërimi dhe fjala (2004) duke mos e kontestuar vlefshmërinë profesionale të
teksteve thotë: ”Gjuha e teksteve origjinale, e teksteve të përgatitura, të përshtatura e të
përkthyera, është e padëshirueshme dhe ngre në vete shumë qortime e vërejte. Vërejtjet janë të
natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato për lëndimet në rrafshin e normës drejtshkrimore e
deri tek ato për problemet e shumta të terminologjisë e të standardizimit të saj”.
Edhe mësuesi i mësuesve tanë, akademik Idriz Ajeti në një shkrim të tij thotë: “Kujdesi
për gjuhën, për pasurimin dhe pastrimin e saj duhet të shtohet në të gjitha rrethet kulturore e
shoqërore në mënyrë që të luftohen pareshtur shmangiet nga norma letrare.”
Integrimi i gjuhës me letërsi ka marrë një pamje të caktuar. Për kurrikulën e gjuhës
shqipe në shkolla 9-vjeçare, njëra nga hartueset e shumë teksteve shkollore, prof. dr. Mimoza
Gjokutaj shprehet: ”Në njërin krah qëndrojnë të integruara linja të tilla si të lexuarit, me të
folurit, të dëgjuarit, të shkruarit (si objektiv madhor i programit) të cilat zënë rreth 65% të planit
mësimor të orëve për këtë lëndë dhe në pjesën tjetër njohuritë për sistemin gramatikor të
shqipes”. Për këtë çështje ka shkruar edhe Hajrije Devetaku-Gojani, e cila në një vend, duke
3
4.
dhënë opinionin esaj për tekstet shkollore, nënvizon: ”Tekstet e reja shkollore të gjuhës shqipe
nuk janë më të ndara në gjuhë (që deri tani ka nënkuptuar gramatikën) dhe leximin letrat (që ka
nënkuptuar letërsinë), por të dyja funksionojnë të integruara dhe në funksion të ri të gjuhës, pra
në funksion të zhvillimit të shkathtësive të komunikimit”.
Edhe pedagogu e gjuhëtari i shquar korçar, prof. dr. Ali Jashari, për problemin e shtruar
shprehet: ”Nga vëzhgimet që kemi bërë deri tani del se përveç arritjeve të mira dhe gjurmëlënëse
në formimin gjuhësor të nxënësve, ka edhe probleme të karakterit shkencor e metodik, siç janë
ndër të tjera, shkalla e lartë e vështirësisë së koncepteve gjuhësore që jepen, mbingarkesa të
shumta për moshën e nxënësve, pasaktësi të karakterit shkencor, etj”. Ndërkaq metodisti e
gjuhëtari tjetër i njohur i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, prof. dr. Abdulla
Ballhysa, duke u marrë me tekstet shkollore, zbatimin e standardit të gjuhës në to, shkruan: ”Për
këtë ndihet nevoja e rikonceptimit të mësimit praktik të çështjeve teorike mbi standardin në
përgjithësi dhe drejtshkrimin e drejtshqiptimin, në veçanti. Kurrikula e gjuhës amtare, tekstet,
mjetet didaktike dhe bashkëveprimi midis mësuesve të lëndëve shkollore ndikojnë
jashtëzakonisht në përmirësimin dhe përdorimin e duhur të standardit qysh në shkollën bazë”.
Me botimin e veprave “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës
shqipe”, “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”, botimi i gramatikave shkollore dhe i atyre
universitare, i fjalorëve të gjuhës shqipe, i revistave “Gjuha shqipe” (IAP në Prishtinë), “Gjuha
jonë” (IGjL në Tiranë) dhe i disa veprave të tjera që nuk po i përmendim këtu për shkak të
natyrës së këtij projekti, që i shërbejnë drejtpërsëdrejti praktikës sonë dhe ndihmojnë
kristalizimin e mëtejshëm të gjuhës sonë letrare, duhet të harmonizohen patjetër tekstet tona
shkollore në përgjithësi dhe librat e gjuhës shqipe, në veçanti.
Formulimi i problemit dhe qëllimet e hulumtimit
Tekstet shkollore konsiderohen si burim kryesor i informimit të nxënësve në shkolla. Si
është trajtuar gjuha në zhvillimin e shkathtësive të komunikimit dhe çfarë janë efektet në
përdorimin e gjuhës standarde është çështje që vazhdon të diskutohet nga mësimdhënës, pedagog
dhe gjahtarë. Shqetësimet janë për mënyrën e trajtimit të strukturave gjuhësore në lëndën e
gjuhës, integrimit të tyre në zhvillim të mëtejmë të gjuhës, përpilimi i teksteve në harmoni me
kërkesat e planeve dhe programeve mësimore.
Qëllimi i hulumtimit është analiza, krahasimi dhe vlerësimi i teksteve shkollore të gjuhës
shqipe në arsimin e detyruar, përputhjen e tyre me planet dhe programet e reja mësimore, qasjen
4
5.
metodologjike në hartimine tyre, përdorimi gjuhës standarde dhe evidentimi i gabimeve,
krahasimin me tekstet e vjetra dhe avancimet që janë bërë në tekstet e reja shkollore.
Pyetjet e hulumtimit dhe hipoteza:
- Ç’standard gjuhësor kanë tekstet aktuale shkollore te ne (me theks të veçantë në
shkollat fillore dhe në ato të mesme të ulëta)?
- Çfarë ndikimi kanë tekstet e gjuhës shqipe në zhvillimin e shkathtësive të komunikimit
te nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët?
- Si dhe në ç’masë do të ndikojnë vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet tona për një gjuhë
më të pastër në tekstet shkollore - të paraqitura në këtë hulumtim?
Metodat, teknikat dhe instrumentet e hulumtimit
Hulumtimin planifikoj ta realizoj në rrafshin teorik dhe praktik. Në aspektin teorik, do t’i
analizoj tekstet e gjuhës shqipe prej klasës së parë deri në klasën e nëntë, duke përdorur metodën
e analizës teorike, metodën përshkruese-deskriptive, metodën e bisedës, metodën krahasuese dhe
metodën statistike. Nga aspekti empirik, përmes teknikave (anketës) dhe instrumenteve të
hulumtimit-pyetësorëve do t’i hulumtoj opinionet e subjekteve të cilët do ta përbëjnë mostrën
(mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit). Po ashtu do të kontaktoj edhe me intelektualë, ekspertë
që merren me procesin edukativo-arsimor e në këtë rrafsh edhe me hartimin ose edhe vlerësimin
e teksteve shkollore. Hulumtimin planifikoj ta organizoj në të gjitha shkollat fillore të Gjilanit
dhe në disa fshatra të kësaj komune, me mëtim që hulumtimi të jetë sa më reprezentativ, sepse
tekstet e gjuhës shqipe janë standarde për të gjithë nxënësit kosovarë. Mostrat e marra do të
analizohen dhe krahasohen në aspektin sasior dhe cilësor.
Plani i zbatimit
• Konsultimi i literaturës që bën fjalë për tekstet shkollore.
• Shqyrtimi dhe analiza e teksteve të gjuhës shqipe të shkollës fillore dhe të mesme të
ulët.
• Përpilimi i teknikave dhe instrumenteve të hulumtimit.
• Hulumtimi empirik i problemit me mësimdhënës, nxënës, prindër.
• Analiza dhe krahasimi i rezultateve të hulumtimit.
• Përpunimi statistikor i të dhënave.
5
6.
• Nxjerrja epërfundimeve dhe rekomandimeve.
Rezultatet e pritshme të hulumtimit
Meqë për zbatimin dhe ngulitjen e normës letrare, rol dhe përgjegjësi të veçantë kanë
shkollat dhe tekstet shkollore, rezultatet e pritura të këtij hulumtimi do të pykëzohen në
evidentimin e vështirësive, kryesisht në aspektin gjuhësor dhe metodologjik të teksteve të gjuhës
shqipe, të cilat rezultate do të ndihmojnë në avancimin e teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe
për funksionimin praktik të tyre. Nga të dhënat e këtij hulumtimi do të përfitojnë jo vetëm
nxënësit dhe mësimdhënësit, por edhe autorët e teksteve të gjuhës shqipe, hartuesit e kurrikulave
të gjuhës shqipe, MASHT-i, të cilët përmes standardeve të krijuara bëjnë vlerësimin e teksteve
shkollore. Gjithashtu, krahas avancimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe do të ndihmohet në
ngritje të cilësisë së arsimit dhe të përmirësimit të nxënies së nxënësve në veçanti. Unë, si
mësimdhënëse e klasës së I-V, pres të ecën përpara profesionalisht, duke i zgjeruar e thelluar
njohuritë e mia në këtë fushë, të cilat do t’i zbatoj te nxënësit e klasës sime me të cilët do të
punoj, të përmirësoj cilësinë e mësimdhënies dhe të ndihmoj mësimdhënësit me të cilët unë
punoj.
Literatura
1. Shkurtaj, Gjovalin (2008). Si të shkruajmë shqip, Tiranë: Toena.
2. Islamaj, Shefkije ( 2004), Gjuha, ligjërimi dhe fjalia, Prishtinë: IAP.
3. Devetaku, Hajrije (2009), Gjuha shqipe në tekstet shkollore, Prishtinë: Libri shkollor.
4. Memishaj, Rami (2005). Shqipja standarde, Tiranë: Toena.
5. Osmani, Shefik (1983), Fjalor i pedagogjisë, Tiranë: ShB “8 Nëntori”.
6. Grup autorësh (1973), Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës, Tiranë, ASh RSh.
7. Musai, Bardhyl (2003), Metodologjia e mësimdhënies, Tiranë: Pegi.
8. Hyseni, Halim, Mita, Nikoleta, Salihaj, Jonuz & Pupovci, Dukagjin (2003), Qeverisja
dhe udhëheqja në arsim, Prishtinë: KEC-i.
9. Fullan, Majkëll (2010), Forca e ndryshimit, Tiranë: Qendra për Arsim Demokratik.
10. Fullan, Majkëll (2001), Kuptimi i ri i ndryshimit në arsim, Tiranë: Edualba.
11. Koliqi, Hajrullah(2004), Arsimi në Kosovë, Prishtinë: Libri shkollor.
12. Shkurtaj, Gjovalin (2006), Kultura e gjuhës, Tiranë: ShBLU.
13. Jashari, Ali & Kryeziu, Bahtijar (2010), Gjuhë amtare, Prishtinë: UP, FE.
14. Murati, Qemal (2004), Standardi gjuhësor dhe kultura e të shprehurit, Prishtinë: IAP.
15. Kryeziu, Bahtijar (2006), Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt, Prishtinë:Libri shkollor.
6
7.
16. Çabej, E.(1976), Studime gjuhësore, Prishtinë: Rilindja.
17. Sulejmani, Fadil (1981), Praktikumi i gjuhës shqipe, Prishtinë: Rilindja.
18. AShSh - IGjL (2002), Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë: Toena.
19. Boce, E. (2004). Si të shkruajmë një punim kërkimor, Tiranë: QAD (CDE).
20. Ecco, U. (1997). Si shkruhet një punim diplome, Tiranë, Dituria.
21. Shamiq, Mid’had (1988), Si shkruhet vepra shkencore, botimi i dytë, Shkup, Logos-A.
22. Deva, Agim & Krasniqi, Islam (2008), Abatare, Pejë, Dukagjini.
23. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 2, Pejë, Dukagjini.
24. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 3, Pejë, Dukagjini.
25. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 4, Pejë, Dukagjini.
26. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 5, Pejë, Dukagjini.
27. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 7, Pejë, Dukagjini.
28. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 8, Pejë, Dukagjini.
29. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 9, Pejë, Dukagjini.
30. Beci, Bahri (2010), Gjuha shqipe 6, Prishtinë, Libri shkollor.
31. Demolli, Arif & Syla, Xhevat (2011), Leximi letrar 9, Prishtinë, Libri shkollor.
32. Demolli, Arif (2010), Leximi 1, Prishtinë, Libri shkollor.
33. Demolli, Arif (2010), Leximi 2, Prishtinë, Libri shkollor.
34. Demolli, Arif (2011), Leximi 3, Prishtinë, Libri shkollor.
35. Kumnova, Mazllum & Hyseni, Munish (2010) Leximi letrar 7, Prishtinë, Libri
shkollor.
36. Kumnova, Mazllum & Hyseni, Munish (2010) Leximi letrar 8, Prishtinë, Libri
shkollor.
37. Syla, Xhevat (2010), Leximi 4, Prishtinë, Libri shkollor.
38. Syla, Xhevat (2011), Leximi 5, Prishtinë, Libri shkollor.
39. MASHT (2006), Plani dhe programi mësimor i klasës 1-9, Prishtinë.
40. http://albanologjia.com/kumtesa.html
Udhëheqësi, Kandidatja,
Prof.asc.dr.Bahtijar Kryeziu Gentiana Shahini
________________________ ______________________
7