Artikull në revistën “Monitor” (numri i datës 27 maj 2013) mbi Programin “LEAD Albania”: Çfarë kanë të përbashkët Kolin Pauell (Colin Powell), i cili u bë Sekretar Shteti gjatë administratës së Presidentit Xhorxh Bush, Uesli Klark (Wesley Clark), i cili u bë Gjeneral në Ushtrinë e ShBA-ve dhe komandant suprem i forcave aleate në Evropë, Elene Cao (Elaine L. Chao), e cila u bë Presidente e organizatës së vullnetarëve “Peace Corps”, Paul Gigot, i cili u bë analist dhe redaktor i gazetës “Wall Street Journal”, apo Henri Kisneros (Henry Cisneros), i cili u bë kryetar bashkie i qytetit San Antonio, Teksas, dhe Sekretar për Strehimin dhe Zhvillimin Urban gjatë administratës së Presidentit Klinton? Të gjithë kanë qenë pjesë të programit për Zhvillimin e Lidershipit të Shtëpisë së Bardhë (angl.: White House Fellowship Program). I themeluar në vitin 1964 nga Presidenti Xhonson, ky është një nga programet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lidershipin dhe administratën publike. Për rreth 50 vjet, Programi në Shtetet e Bashkuara ka shërbyer për identifikimin dhe promovimin e liderëve të së ardhmes. Një nismë të ngjashme ka ndërmarrë Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) edhe në Shqipëri. Nën emrin “LEAD Albania” – Programi për Përvojë dhe Zhvillim të Lidershipit (angl.: Leadership Experience And Development), Programi synon t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë, shoqëruar nga një ndjesi e përfshirjes personale në lidershipin e shoqërisë sonë nëpëmjet një përvoje njëvjeçare që e vendos përfituesin në një pozicion shumë të lartë në institucione shtetërore.