Successfully reported this slideshow.
We use your LinkedIn profile and activity data to personalize ads and to show you more relevant ads. You can change your ad preferences anytime.

Raporti 'vertetematesi', mbi punen e qeverise ne 365 dite. levizja mjaft!

650 views

Published on

Vërtetmatësi – 365 ditë Qeverisje
Raporti mbi performancën e qeverisë për 365 ditë qeverisje

Per me shume informacione vizitoni: Vertetematesi.info

Published in: News & Politics
  • Be the first to comment

  • Be the first to like this

Raporti 'vertetematesi', mbi punen e qeverise ne 365 dite. levizja mjaft!

  1. 1. Vërtetëmatësi – 365 ditë Qeverisje. Raporti mbi performancën e qeverisë për 365 ditë qeverisje 17 Janar 2015
  2. 2. Hyrje. Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 ofruan për publikun disa risi në fjalorin politik të përdorur nga përfaqësuesit e partive politike, si togfjalëshi “njëqind ditët e para” dhe “treqind ditët e para”, përmes së cilave përfaqësuesit e partive, premtonin ndryshime rrënjësore. Gjatë prezantimit në Kuvendin e Shqipërisë të programit qeverisës për katër vitet e mandatit të parë, Kryeministri Rama, artikuloi një sërë premtimesh dhe reformash që qeveria do të ndërmarrë këtë mandat. Disa nga premtimet kryesore, ndër të tjera ishin: premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, shërbim shëndetësor falas, furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm, legalizimi falas i shtëpive etj. Në muajin korrik 2014, qeveria publikoi një dokument prej 40 faqesh ku prezantoi punën e saj, gjatë 300 ditëve të para të qeverisjesi . Synimet. Ky raport i përgatitur nga Lëvizja Mjaft synon të krahasojë premtimet fillestare të qeverisë për periudhën e vitit të parë të qeverisjes, në krahasim me punën reale gjatë vitit 2014 dhe me dokumentin e qeverisë. Kufizimet. Raporti nuk merr në shqyrtim të gjithë punën e qeverisë, por vetëm atë pjesë për të cilën ka patur premtime paraelektorale si punë të vitit parë, të identifikuara nga grupi i punës. Premtimet konsiderohen të tilla kur janë publikuar në formë të shkruar apo përmes videove. Të dhënat. Deklaratat e premtimeve të qeverisë janë publikuar në faqe të ndryshme interneti, përfshirë adresën zyrtare të Partisë Socialiste në internet si: www.PS.al, faqet në Facebook të drejtuesve të Partisë Socialiste si dhe në media. Puna e qeverisë do të analizohet nga vendimet e publikuara në faqen zyrtare www.kryeministria.al apo në Fletoren Zyrtare www.qbz.gov.al.
  3. 3. Konvencione. Premtimi është një angazhim me afat kohor, brenda vitit të parë, me përjashtim të disa premtimeve që lidhen me buxhetin e shtetit, realizimi i të cilave është sanksionuar si “brenda vitit të parë” por realizimi i tyre varet nëse janë përfshirë apo jo në buxhetin e shtetit për vitin 2014-2015. Viti i parë i qeverisjes nënkuptohet periudha nga dhjetor 2013 në fund të vitit 2014. Jo ekzaktësisht 300 ditë, kjo ndarje bëhet për të përfshirë edhe Buxhetin e Shtetit dhe Paketën Fiskale 2014-2015, me qëllim, analizimin e premtimeve edhe në kuadër të planifikimit buxhetor. Përmbledhje ekzekutive. Nga deklaratat publike të Partisë Socialiste dhe nga angazhimet e marra në Kuvendin e Shqipërisë nëpërmjet nismave ligjore, u identifikuan 25 premtime që lidhen ngushtësisht me punën e qeverisë gjatë 365 ditëve të para. Nga këto premtime, 6 rezultojnë të realizuara në përputhje me premtimin, 7 premtime vlerësohen si të realizuara pjesshëm, 2 konsiderohen si të pamatshme dhe 9 premtime konsiderohen të parealizuara. Pjesë e raportit janë disa premtime që logjikisht mund të kishin qenë të përfshira në një premtim të vetëm, për shkak se i përkasin të njëjtës fushë dhe të njëjtit qëllim, mirëpo skuadra “vertetëmatësi” ka vendosur t’i mbaj të ndara për shkak se premtimet janë bërë në fjalime të ndryshme elektorale, ato janë analizuar të ndara. Pjese e këtij raporti nuk janë premtimet e analizuara në 3 muajt e fundit të vitit 2013 për shkak se nuk kemi dashur të krijojmë konfuzion ndërmjet periudhave kohore të premtimeve, si dhe për të qenë koherent me periudhat e premtimeve të deklaruara gjatë fushatës elektorale nga Partia Socialiste, periudha që përkojnë me 100 ditët e para dhe vitin e parë të qeverisjes Janar 2014-Dhjetor 2014. Pavarësisht këtij elementi kohor nuk mund të lemë pa përmendur disa nga premtimet e parealizuara që përkojnë me tre mujorin e fundit të vitit 2013 të cilat janë dhe do të jenë në proces monitorimi dhe verifikimi nga skuadra “vertetëmatësi” për të konstatuar nivelin e realizimit të tyre. Në këtë kuadër vlen të përmendet premtimi për “Vendosjen nën kontrollin e Parlamentit të Institutit të Statistikave” (INSTAT). Nga ballafaqimi i fakteve rezulton se INSTAT vazhdon të mbetet nën varësinë direkt të kryeministrit, duke e lënë ende të parealizuar këtë premtim. Për institucione të tilla që mbeten kapitale publike në shërbim dhe mbrojtje të publikut dhe mirinformimit të tij, nuk mjafton vetëm vullneti i mirë i politikës për të qenë objektiv dhe i pavarur, por kërkohet se pari pavarësi institucionale nga organet ekzekutive dhe me pas integritet dhe vullnet të mirë nga drejtuesit. Një tjetër premtim i parealizuar në kuadër të 100 ditëve të para të qeverisjes është ai për “Rikthimin e përfitimeve ligjore për njerëzit me aftësi të kufizuara”. Edhe për këtë premtim nuk është ndërmarrë ende asnjë iniciativë ligjore apo ndryshim i kuadrit ligjor
  4. 4. aktual për t’i rikthyer përfitimet ligjore kësaj kategorie të popullatës. Një tjetër premtim i parealizuar është ai për “Rishikimin e koncesionit për Portin e Durrësit”. Për këtë koncesion ka shumë argumente dhe fakte nga institucionet e pavarura të kontrollit, KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit), për procesin e parregullt që është kryer me këtë koncesion. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë çështje rezulton se procedurat e dhënies me koncesion të Portit, si dhe zbatimi i kontratave me privatët, janë kryer në shkelje të ligjit. Në këtë kuadër, Kontrolli i Larte i Shtetit ka bërë kallëzim penal për ish drejtorin e përgjithshëm të autoritetit portual Durrës, si dhe janë kallëzuar 4 ish drejtorë të këtij autoriteti dhe 4 punonjës të Ministrisë se Transportit dhe Infrastrukturës për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tender, duke i shkaktuar një dëm ekonomisë dhe buxhetit të shtetit prej 16.9 milion euro. Megjithëse është kryer një proces auditimi nga KLSH, koncesioni i portit të Durrësit vazhdon të mbetet në të njëjtat kushte kontraktuale dhe nën të njëjtën firmë koncesionare që e zotëron këtë koncesion.
  5. 5. i Lista e premtimeve për 365 ditët sipas temave: 1. Ulja me 6 për qind e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjar; 2. Reforma territoriale; 3. Kthimi te publiku i TVSH dhe ATSH; 4. Problemi me emigrantët, fëmijët e lindur ne Greqi; 5. Krijimi i Agjencisë Kombëtare për Bregdetin; 6. Reforma e Pensioneve; 7. Mbështetje me pension për policët e rënë në krye të detyrës; 8. “Normalizimi i sistemit të energjisë është prioritet shumë i rëndësishëm; 9. Goditja e monopoleve; 10.Përmirësime radikale në sistemin e Shëndetësisë; 11.Punësim në bazë të meritës e konkurrencës; 12.Goditja e të korruptuarve në Institucionet Publike; 13.Formalizmi i Ekonomisë; 14.Paketë për Reformën në Drejtësi; 15.Marrja nën kontroll e pasurive kombëtare; 16.Nisja e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje; 17.Ulja e moshës së daljes në pension të personave që punojnë në punë të vështirë, minatorët etj; 18.Një sistem të së ardhmes ku të gjithë do të përfitojnë shërbim shëndetësor falas dhe ku do të jenë vetë bordet e spitaleve që do vendosin për aparaturat; 19.Brenda 9 mujorit të parë do të paguhen të gjitha borxhet e punëve publike; 20.Nuk do krijohet asnjë borxh i ri; 21.Rimbursimi i TVSH është kërkesë e juaj dhe reflektimi ynë është që, vetëm TVSH e parimbursuar, gjobat dhe detyrimet publike të palikujduara, vetëm këto e çojnë taksën e sheshtë në 22% të tatimfitimit dhe ne do rikonceptojmë të gjithë zinxhirin e TVSH dhe nuk do ketë më vonesa që administrata ka ndaj biznesit dhe do likuidohen në kohë; 22.Produktet “Made in Albania”. Ne duam që kushtet dhe standardet të jenë evropiane, bashkërisht menjëherë do evidentojmë barrierat fiskale që vonojnë eksportet dhe do eliminojmë të gjitha taksat për importin”;
  6. 6. 23.“Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike”; 24.Reforma në Arsim; 25.Do hapim 300 mijë vende të reja pune. 1. Ulja me 6 për qind taksën e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Premtimi: Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, përfaqësues të Partisë Socialiste, premtuan se do të ulin me 6 % taksën e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Përshkrim i përgjithshëm: Në çdo prag zgjedhje të përgjithshme, një nga premtimet kryesore të çdo force politike ka qenë energjia elektrike, e fokusuar kryesisht në furnizimin e rregullt me energji, investime për përmirësimin e shërbimit, si dhe ulje e taksës për konsumatorët familjarë. Me gjithë fokusin kryesor të politikës dhe qeverive të një pas njëshme, sistemi elektro-energjetik në Shqipëri nuk ka qenë në asnjë moment eficent dhe i vetëmjaftueshëm. Abuzimet me blerjen e energjisë, mungesa e investimeve, abuzimet e abonentëve (vjedhja e energjisë) dhe mos pagesa e energjisë se konsumuar, janë arsyet kryesore të prag-kolapsit të sistemit energjetik në Shqipëri. Fakti: Pas disa muajve diskutime dhe debate me grupet e interesit, qeveria shqiptare, nëpërmjet OSHEE, i kërkoi Entit Rregullator të Energjisë (ERE), rritje të çmimit të energjisë me 12 lekë për kwh dhe heqjen e fashës prej 300 kwh. ERE miratoi plotësisht njërën nga kërkesat, atë të heqjes së fashës 300 kwh dhe miratoi një tarifë fikse për konsumatorët familjarë prej 9.5 lekë për kwh, nga sistemi aktual me dy tarifa, duke sjellë një rritje neto prej 500 deri në 650 lekë për konsumatorin e varfër si dhe një rënie çmimi për familjet që konsumojnë mbi 600 kwh në muaj. Për abonentët familjarë që konsumojnë mbi 800 kwh, që përkojnë me familjet e shtresës mesatare të lartë dhe shtresave të pasura, detyrimi që do duhet të paguajnë pranë OSHEE do jetë më i vogël. Nga ndryshimet e miratuara në 26 dhjetor 2014 nga Enti Rregullator i Energjisë , familjet me konsum mesatar 300 kwh, do të kenë një rritje të faturës mujore prej 650 lekë, shumë kjo që do të kompensohet nga qeveria nëpërmjet një fondi të miratuar në muajin dhjetor nga buxheti i shtetit, fond i cili kap vlerën e 16 milion dollarëve. Nga ballafaqimi i fakteve me sipër duket sikur ndryshimi i çmimit të energjisë nuk do ketë ndikim negativ në shoqëri, dhe relativisht ky fakt qëndron. Qëndron relativisht për shkak se ka edhe shumë familje të tjera të varfra, që nuk futen në skemën e rimbursimit të qeverisë për shkak se kanë 1 person të punësuar në familje, me rrogë minimale, në një familje me minimalisht 4 anëtarë. Këto familje, përjashtohen automatikisht nga skema e rimbursimit dhe
  7. 7. i lë të pambrojtur nga ndryshimi i çmimit, duke ju rritur koston e konsumit me 650 lekë në muaj. Çmimi për bizneset: Nga vendimi i ERE në 26 dhjetorit 2014 u vendos se çmimi për konsumatorët e furnizuar me 35 kwh do të jetë 9.5 lekë për kwh/orë, ndërsa për konsumatorët e furnizuar me 20/10/6 kwh çmimi do të jetë 11 lekë për kwh për orë. Për furrat e bukës dhe prodhimin e miellit të lidhura në 20, 10 dhe 6 kwh, çmimi do të jetë 7.1 lek. Për më shumë referohuni tabelës me poshtë: Konkluzion: Megjithëse ndikimi financiar në buxhetin e familjeve shqiptare, mund të konsiderohet minimal, referuar fakteve të mësipërme, premtimi i Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale 2013 bie në kundërshtim me vendimin e ERE për ndryshimin e çmimit të energjisë për familjarët. Kësisoj, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar. 2. Reforma Territoriale. Premtimi: Një ndër premtimet kryesore elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, e artikuluar nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të Partisë Socialiste, ka qenë hartimi dhe implementimi i Reformës Administrative Territoriale. Përshkrim i përgjithshëm i premtimit dhe argumentet e Partisë Socialiste: Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama, premtuan gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit, se vendit i nevojitet një reformim i thellë dhe integral i sistemit aktual të ndarjes administrative të vendit. Procesi i diskutimit të ndarjes së re territoriale, nisi me Konferencën “Reforma
  8. 8. Administrativo Territoriale”, e organizuar në muajin tetor 2013 nga Ministria për Çështjet Vendore dhe Prezenca e OSBE në Tiranë. Argumenti kryesor i prezantuar nga Edi Rama për këtë iniciativë, lidhej me thjeshtëzimin e ndarjes territoriale, fuqizim i hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore të njësive vendore, në funksion të fuqizimit tërësor të vendit. Gjithashtu, kryeministri përmendi se me reformën e re, do të shkurtohen rreth 25 milion USD shpenzime të administratës vendore, të ardhura financiare që kursehen nga buxheti i taksapaguesve. Një tjetër element mbështetës për qeverinë në këtë reformë, ka qenë studimi i publikuar në vitin 2012 i Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, konkluzionet e të cilit, sugjeronin një ndarje të re administrative territoriale me jo më shumë se 100 njësi vendore dhe 6 rajone, rezultat ky i dalë pas një vlerësimi të veçorive dhe ndarjes së pushtetit vendor në atë periudhë. Të dhëna mbi pushtetin vendor me ndarjen e vjetër territoriale:  384 njësi vendore në të gjithë vendin;  65 bashki të kategorisë së parë dhe të dytë;  309 komuna me popullsi nga 500-10 mijë banorë;  Komunat, 2.5 miliard lekë të rinj në vit për pagat;  200 komuna shpenzojnë mbi 40% të buxhetit për pagat e administratës;  100 komuna shpenzojnë mbi 80% të buxhetit për pagat e administratës;  70% e punonjësve në 80 komuna janë pa arsimin e lartë;  50% e komunave nuk bëjnë asnjë investim në komunitet;  50% e komunave mbledhin 0-2 % të buxhetit nga taksat vendore. Fakti: Në datë 23 janar 2014, Kuvendi miratoi kërkesën e Ministrit për Çështjet Vendore, për ngritjen e komisionit të posaçëm për “REFORMËN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, me një afat kohor prej 3 muajsh. Në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, komisioni u drejtua nga dy bashkëkryetarë, pozitë dhe opozitë, ndërsa në përbërje kishte 16 anëtarë, nga të cilët 8 përfaqësues të pozitës (6 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU). Përfaqësuesit e opozitës nuk pranuan dhe nuk u bënë pjesë e procesit të diskutimeve për reformën territoriale me argumentin se, ka mungesë besimi dhe nuk shihet vullnet nga mazhoranca për një konsensus real. Ndërsa, qëndrimi faktik i opozitës lidhej me mospranimin e opsionit të propozuar nga përfaqësuesit e saj, propozim ky i cili nuk u morë parasysh nga maxhoranca. Pas 7 muajsh punë intensive e këtij komisioni dhe dëgjesave publike të organizuara nga ky komision dhe Ministria e Çështjeve Vendore, në datë 17 korrik, anëtarët e mazhorancës së bashku me anëtarët e PDIU, morën vendimin për miratimin e variantit me 61 njësi vendore, nga 5 variante të propozuara nga Ministria e Çështjeve Vendore. Pavarësisht oponencës politike të opozitës dhe argumenteve për mungesë besimi dhe vullneti të mazhorancës për të dëgjuar pikëpamjet e opozitës, komisioni për Reformën Administrative Territoriale, miratoi variantin me 61 njësi vendore, variant i cili u materializua në Parlament me miratimin e ligjit nr. 8653/2000 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore të Republikës së Shqipërisë”.
  9. 9. Në konkluzion, ky premtim vlerësohet: i vërtetë/ i realizuar. 3. Kthimi te publiku i TVSH dhe ATSH. Premtimi: Në fillim të muajit tetor 2013, në një konferencë të hapur për mediat, Kryeministri Edi Rama ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth proceseve reformuese që pritet të ndërmarrë qeveria dhe zotimeve në kuadër të realizimit të premtimeve elektorale. Një nga angazhimet e Kryeministrit Edi Rama, e artikuluar gjatë konferencës, ishte ai për “rikthimin” në shërbim të publikut, të Televizionit Publik Shqiptar dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Fakti: Në 14 muaj të qeverisjes së Aleancës për Shqipërinë Evropiane, ende nuk kemi asnjë veprim konkret për reformimin e TVSH-së dhe ATSH-së, çka e bënë këtë premtim ende të pavërtetë/të parealizuar. 4. Problemi me emigrantët, fëmijët e lindur në Greqi (toponimet). Premtimi: Në datë 10 qershor 2013, në një takim të organizuar nga emigrantët shqiptar në Greqi/Igumenicë, Sekretari i Emigracionit në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, sot Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, u premtoi emigrantëve shqiptar zgjidhjen e problemit të toponimeve, nëse Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Fakti: Zgjidhja e problemit të toponimeve nisi që më 11 qershor 2013, pak ditë para zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit. Për periudhën e zgjedhjeve të 23 qershorit, u arrit marrëveshja që i lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë me banim në Greqi, pa u penguar nga toponimet e shkruara shqip në pasaportat e tyre, apo të fëmijëve të cilët kanë lindur në Greqi. Sipas marrëveshjes, shqiptarët nuk do të kenë asnjë pengesë në pikat kufitare për shqiptarët me banim në Greqi. Ndërkohë më 8 maj 2014 u arrit një tjetër marrëveshje e rëndësishme në lidhje me toponimet. Emigrantët shqiptarë do të përdorin pasaportat aktuale deri më 1 janar 2015, pavarësisht problemeve që kanë patur më parë me toponimet në to. Zgjidhja ka ardhur pas marrëveshjes mes dy ministrave të Jashtëm, të Greqisë dhe Shqipërisë. Palët kanë rënë dakord që ky problem të zgjidhet sipas katalogëve zyrtarë të të dyja vendeve, të depozituar në OKB. Por deri më 1 janar 2015, të gjithë ata shtetas shqiptarë që kanë probleme me toponimet, duhet të nxjerrin pasaportë të re. Për të mos penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve u miratua moratoriumi për lëvizjen e lirë dhe pa pengesa burokratike të personave që kanë probleme në dokumentacion me toponimet, vendim ky që mbetet në fuqi deri në 1 janar 2015, afat i dakortësuar mes palëve për zgjidhjen përfundimtare të problemit. Miratimi i VKM-ës. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave datë 27 gusht 2014 u vendos të ndryshohet plotësimi i rubrikës “Vendlindje” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në certifikata për përdorim nga autoritetet e huaja, duke zgjidhur në këtë mënyrë çështjen e toponimeve në pasaportat apo dokumentet e tjera te identifikimit të mijëra emigrantëve shqiptarë që përballonin probleme sidomos me autoritetet greke. Ndryshimi ka të bëjë me disa shtesa në vendimin e mëparshëm të qeverisë me nr. 332 të datës 17 mars 2010, ku përcaktohet që: “Në
  10. 10. të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve: a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakteresh të shtetit përkatës, sipas standardit te Organizatës Ndërkombëtare te Aviacionit Civil ICAO, p.sh GRE për Greqinë; b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakteresh të shtetit përkatës, sipas të njëjtit standard; c) Rubrikat e tjera të certifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe”. Pas këtij ndryshimi në plotësimin e rubrikës “Vendlindja” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korrigjohen edhe pasaportat, gjë që do të zgjidhë përfundimisht problemin edhe me pasaportat biometrike. Megjithëse ky premtim i ka të gjithë elementet faktik dhe ligjor për të qenë i vërtetë/i realizuar, mbetet për tu verifikuar përmbushja e detyrimeve qe ka ndërmarrë shteti shqiptar, deri në datë 1 janar 2015. 5. Krijimi i Agjencisë Kombëtare për Bregdetin. Premtimi: Në datë 6 qershor 2013, në një takim elektoral të zhvilluar në qytetin e Lezhës, Edi Rama premtoi ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, e cila do të ketë gjithë fuqinë institucionale për të trajtuar të gjithë problematikën e vijës bregdetare. Fakti: Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 22 janar 2014, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave, mori vendimin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, me drejtues Auron Tare. Pavarësisht kësaj, ka patur shumë probleme në këtë sezon turistik me AKB, pasi një sërë premtimesh nuk janë mbajtur nga ana e saj. Pikësëpari nuk është kryer specializimi i plotë i të interesuarve për guida turistike. Po ashtu, u premtua se do të vendoseshin kullat e vrojtimit për 7 plazhe pilot, por jo në çdo prej tyre kjo është realizuar. Megjithatë, nga ana institucionale dhe strukturore, kjo agjenci është krijuar dhe ky premtim rezulton i vërtetë/ i realizuar. 6. Reforma e pensioneve. Premtimi: Qeveria ka premtuar hartimin dhe zbatimin e reformës së re të pensioneve, që të garantojë rritjen e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe do të garantoj pensione më të larta për qytetarët, në bazë të historikut individual të kontributeve. Përshkrimi i situatës: Hartimi dhe zbatimi i reformës së re të pensioneve është bërë domosdoshmëri për Shqipërinë në kushtet kur në skemën aktuale ka një numër të vogël
  11. 11. kontribuuesish krahasuar me përfituesit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ky deficit mbulohet çdo vit nga buxheti i shtetit me një shumë që arrin në 430 milionë dollarë. Si rrjedhim, është emergjente reduktimi i këtij deficiti, garantimi i përfitimeve të larta, si dhe bërja e skemës me tërheqëse për kontribuuesit. Fakti: Dy muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama deklaroi se do të hartonte reformën e re të pensioneve. Drafti u përgatit nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Drafti mori formë në shkurt të 2014-ës dhe në prill të po këtij viti, nisi të diskutohej me grupet e interesit, me gjithë skepticizmin dhe kundërshtimin paraprak të tyre. Me 31 korrik 2014, reforma e pensioneve u miratua nga parlamenti, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të saj nga 1 janari 2015. Reforma e re e pensioneve parashikon disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me skemën ekzistuese. Kështu, mosha e pensionit për meshkujt mbetet e pandryshuar në 65 vjeç deri në vitin 2032 dhe pas këtij viti do të rritet me nga një muaj për vit deri në arritjen e kufirit 67 vjet. Për gratë, mosha do të rritet në mënyrë graduale me nga dy muaj për çdo vit duke arritur në vitin 2032 në 63 vjet. Masa e pensionit do të varet nga periudha e sigurimit dhe paga mbi të cilën janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, reforma parashikon heqjen e tavanit të pensionit maksimal prej 24.000 lekë, sipas filozofisë, që kush kontribuon më shumë, merr një pension më të madh. Reforma parashikon edhe heqjen e kompensimeve dhe integrimin e tyre në masën e pensionit, unifikimin e pagave minimale në një pagë të vetme, unifikimin e llogaritjes së pensioneve pavarësisht llojit të punës (kooperativë bujqësore apo ndërmarrje shtetërorë dhe private). Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, reforma ka si objektiv të saj që masa e pensionit të jetë e lidhur në raport të drejtë me kontributet e paguara dhe nuk mund të flitet për ulje të pensioneve. Por edhe me skemën e re, masa e pensionit është individuale dhe varet nga historiku i kontributit individual. Reforma parashikon për herë të parë pensionin social. Kjo do të thotë se nga 1 janari 2015, rreth 5 mijë të moshuar mbi 70 vjeç, që sot nuk kanë asnjë të ardhur për arsye të ndryshme do të përfitojnë një pension mujor prej 6500 lekë, gjithsesi i pamjaftueshëm për të përballuar shpenzimet bazike për jetesën si: ujë, drita, ilaçe dhe ushqim. Rritja e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025, është një tjetër ndryshim që i ka ndodhur skemës së pensioneve. Ky ndryshim i qeverisë në lidhje me vitet për kontribute shoqërore, vlerësohet me ndikim negativ për përfituesit e ardhshëm të pensioneve, pasi ul numrin e personave që përfitojnë pension të plotë, kjo për disa arsye. Me skemën aktuale (jo të ndryshuar) që të dalësh në pension, duhet të kesh mbushur moshën e daljes në pension si dhe vitet e kontributit shoqëror, aktualisht 35 vite. Skema parashikon, nëse ke mbushur moshën por jo vitet e kontributeve përfiton pension të pjesshëm, dhe nëse nuk ke mbushur moshën, por ke plotësuar vitet e kontributeve, përfiton pension të pjesshëm penalizues. Në kategorinë e fundit bëjnë pjesë shumica e shqiptarëve sot, të cilët të punësuar në një periudhë tranzicioni, e kanë të vështirë t’i plotësojnë vitet e punës. Këto masa që po ndërmerr qeveria, mund të interpretohen si masa shtrënguese për të rregulluar një sistem pothuaj në kolaps, masa të cilat nesër mund të shpëtojnë sistemin por jo përfituesit. Heqja e privilegjeve për njohjen e periudhave të sigurimit pa paguar kontribute për gratë, siç është njohja e viteve të studimit si vite të siguruara. Është i paqartë ndikimi që do të ketë në sistem heqja e kontributeve të njohura me ligj, për katër vitet e studimit për vajzat. Nuk kuptohet qartë ndikimi i kësaj ndërhyrje ligjore dhe arsyetimi që është përdorur për heqjen e tij.
  12. 12. Rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017. Ky ndryshim që ka ndërmarrë qeveria për këtë kategori, nuk është aspak real në kontekstin social-ekonomik, në të cilin jetojnë sot fermerët në fshatra, ku të ardhurat janë minimale. Me skemën e re, një i vetëpunësuar në zonat fushore duhet të paguaj 31,500 lekë në vit kontribute nga 17,280 që paguante me skemën e vjetër, ndërsa një i vetëpunësuar në zonat malore duhet të paguaj 24,150 nga 11,232 lekë në vit që paguante me skemën e vjetër. Me skemën e re, pritet të ulet diferenca e kontributeve që mbulohet nga buxheti i shtetit, për zonat fushore do jetë 59 %, mbulohen rreth 21.534 lekë, ndërkohë që për zonat malore do jetë 45%, mbulohen rreth 28,884 lekë nga buxheti i shtetit. Ky ndryshim do të sjellë uljen e barrës buxhetore duke e kaluar diferencën që ulet te fermeri. Megjithëse qeveria duket optimiste për suksesin e skemës sa i përket këtij komponenti, fakti tregon se gjasat për sukses janë minimale, për shkak se gjendja ekonomike e fermerit në zona fushore dhe malore ka pak gjasa të përmirësohet në vitet në vijim, aq sa të përballoj rritjen e pagesës së kontributeve dhe barazimin e tyre me kontribuuesit e zonave urbane. Reforma e re e pensioneve unifikon mënyrën e llogaritjes së përfitimeve nga skema për të gjithë kategoritë e mbrojtura si të punësuar, vetëpunësuar, të punësuar dhe vetëpunësuar në fshat dhe qytet. Duke filluar nga 1 janari 2015 do të nisë barazimi i kontributeve në fshat dhe qytet, proces që do të përfundojë më 2018. Gjithashtu, në kuadër të reformës së re është lënë si afat i fundit data 31 dhjetor 2014 për faljen e kamatëvonesave për të vetë-punësuarit në fshat, në rast se ata paguajnë kontributet. Pas 1 janarit 2015, fillon aplikimi i kamatëvonesave. Gjithashtu, në kuadër të reformës së re të pensioneve, në nëntor të 2014-ës, parlamenti miratoi uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve nga 60 vjeç në 55 vjeç. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nga rishikimi i këtij ligji do të përfitojnë 3 850 minatorë. Është ende e paqartë sesi do të zbatohet reforma nga 1 janari 2015 dhe sesa do të gjejnë zbatim real disa nga ndryshimet e sipërpërmendura. Duke patur parasysh këtë element, ky premtim konsiderohet i vërtetë/i realizuar/për t’u verifikuar në aspektin e ndryshimit ligjor (reforma), por do jetë në proces ndjekje dhe verifikimi për të parë ecurinë e zbatimit. 7. Mbështetje me pension për policët e rënë në krye të detyrës. Premtimi: Në datë 23 janar 2013, gjatë një vizite në një nga familjet e policëve të vrarë, në Rrashbull, rreth i Durrësit, kryetari i PS Edi Rama, sot kryeministri i vendit, premtoi rishikimin e mbështetjes financiare për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, si dhe sigurim jete për policët që janë aktualisht pjesë e policisë së shtetit. Përshkrim i përgjithshëm: Një sërë premtimesh janë dhënë që në shtator-tetor të vitit 2013, në lidhje me mbështetjen e familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës. Këto premtime variojnë nga mbështetja me dhurim shtëpie, në mbështetje me pensione të konsiderueshme për një jetesë dinjitoze. Megjithatë, një pjesë e vogël e familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës marrin më shumë sesa një ngushëllim për Krishtlindje e Vit të Ri. Fakti: Miratimi në datë 31 korrik 2014, i ligjit të ri për Policinë e Shtetit nr. 108/2014, nuk solli asnjë ndryshim sa i përket premtimeve për rishikim pensioni apo pension të veçantë për policët e rënë në krye të detyrës, si dhe sigurim jete për policët që punojnë ende në polici.
  13. 13. Si konkluzion ky premtim mbetet i pa vërtetë/ i pa realizuar. 8. Normalizimi i sistemit të energjisë është prioritet shumë i rëndësishëm. Premtimi: Qeveria e ka përcaktuar normalizimin në sektorin energjetik si një prioritet të rëndësishëm të saj. Ajo ka premtuar reformë të thellë për ta nxjerrë sektorin energjetik nga kriza dhe për ta kthyer atë në një sektor fitimprurës për ekonominë. Përshkrimi i situatës: Sektori energjetik mbetet një ndër pikat e dobëta të ekonomisë shqiptare, me efekte të mëdha jo vetëm për financat publike, por edhe për jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetarëve. Ky sektor mbart probleme të trashëguara nga viti në vit, të reflektuara me pas në një nivel të lartë të humbjeve dhe nivel të ulët të arkëtimeve. Sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (ish CEZ Shpërndarje), në fund të vitit 2013, niveli i humbjeve llogaritej në rreth 45%, ndërsa arkëtimet në më pak se 70%. Ndërkohë që niveli i borxheve mes kompanive në sektorin energjetik, por edhe ndaj palëve të treta vlerësohet sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në rreth 1 miliard dollarë. Një pjesë e madhe e abonentëve familjarë nuk kanë matës dhe faturohen aktualisht aforfe. Nga ana tjetër, debitorë të energjisë rezultojnë përveç konsumatorëve familjarë dhe bizneseve, edhe institucionet shtetërore qendrore dhe ato vendore. Furnizimi me energji mbetet i varur nga importi, çka do të thotë një kërcënim i përhershëm për buxhetin e shtetit. Një problem i vazhdueshëm ka qenë edhe marrëdhënia mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe hidrocentraleve private. KESH është e detyruar me ligj që të blejë energjinë e prodhuar nga këto impiante me çmim që varion sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike nga 7-9 lekë për kwh orë, ndërkohë që ia shet energjinë OSHEE-së shumë më lirë. Kjo ka krijuar deficit financiar për KESH dhe një borxh të akumuluar që korporata ia ka HEC-eve private dhe që në fund të 2013-ës arriti në rreth 60 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Një barrë e rëndë për sektorin energjetik ka qenë edhe dështimi i privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë nga kompania ceke CEZ. Konflikti mes qeverisë shqiptare dhe grupit cek kulmoi më 21 janar 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë i hoqi licencën dhe ia delegoi kompetencat e menaxhimit të kompanisë një administratori të përkohshëm shtetëror. Përveç problemeve të mësipërme, sektori energjetik përballet me një nivel të lartë të amortizimit të rrjetit, si pasojë e mos-investimit për vite të tëra, çka bëhet shkak për defekte dhe mos-furnizim të qytetarëve me energji elektrike. Për të mbijetuar mes borxheve, por edhe për të furnizuar kompaninë e shpërndarjes me energji, KESH është detyruar të marrë kredi të shumta në bankë, ku garant ka dalë qeveria shqiptare. Kjo e rrit akoma më shumë ndikimin që kriza në sektorin energjetik ka mbi buxhetin e shtetit. Fakti: Hapi i parë që qeveria ndërmori për të normalizuar situatën në sektorin energjetik ishte miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave në dhjetor 2013 për ngritjen e Task Forcës, së drejtuar nga Zv. Kryeministri Niko Peleshi. Kjo Task Forcë nisi punën më 15 janar 2014 dhe e përfundon atë në maj 2015. Ajo kishte për detyrë një menaxhim më të mirë të situatës në sektorin energjetik dhe përmirësimin e treguesve kryesorë, mes tyre uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. Edhe pse këta dy tregues pësuan përmirësim të lehtë në fund të vitit
  14. 14. 2014 problematikat në sektorin energjetik ishin të mprehta. Hapi i radhës që qeveria ndërmori ishte zhvillimi i negociatave me kompaninë çeke CEZ për ta zgjidhur konfliktin me mirëkuptim dhe për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar. Në fund të qershorit 2014, arriti marrëveshjen me çekët e CEZ për zgjidhjen e konfliktit me mirëkuptim. Qeveria premtoi reformë të thellë në sektorin energjetik, kusht ky edhe i marrëveshjes tre vjeçare të bashkëpunimit me FMN-në. Në muajin mars 2014, u miratuan nga Parlamenti ndryshimet në Kodin Penal, ku vjedhja e energjisë konsiderohej krim dhe dënohej me 3 vjet, ndërsa për bashkëpunëtorët me 5 vjet. Paralelisht me këtë masë, qeveria arriti të siguronte 150 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, marrëveshje që u nënshkrua më 3 nëntor 2014. Reforma parashikon ndërhyrje në disa drejtime, mes tyre edhe në çmim. Enti Rregullator i Energjisë pritet të marrë një vendim brenda dhjetorit për tarifat e reja që do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2015, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në nëntor se do të ketë ristrukturim të çmimit, gjë që nënkupton heqjen e fashës mbrojtëse të konsumit prej 300 kilovat orë në muaj, me argumentin se ka nxitur abuzimet. Nga ana tjetër, në fund të tetorit qeveria nisi aksionin në shkallë vendi kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Aksioni parashikon arrest me burg për të gjithë ata që vjedhin energjinë elektrike, ndërprerje të furnizimit me energji për abonentët që janë debitorë dhe arrest me burg në rast se tentojnë ta rilidhin energjinë në mënyrë të paligjshme. Për të nxitur qytetarët të shlyejnë detyrimet, qeveria vendosi të falë 80% të kamatëvonesave në rast se bëhet pagesa e plotë e detyrimit, si dhe ka dhënë mundësinë që shlyerja e debisë të bëhet me këste. Kjo është shoqëruar me dyndje të qytetarëve pranë Zyrave të Kujdesit ndaj Klientit të OSHEE për të paguar faturat e prapambetura. Të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se arkëtimet për nëntorin u rritën me 49% më shumë krahasuar me nëntorin 2013. Rritja e arkëtimeve konstatohet si për faturat korrente, ashtu edhe për ato debitorë. Gjithashtu, gjatë muajit nëntor u lidhën 7555 kontrata të reja, u ndërprenë 51 592 lidhje të paligjshme në të gjithë vendin, niveli i humbjeve ka zbritur në 34.5%. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë 611 denoncime në prokurori për vjedhje energjie, ndërsa 48 punonjës të OSHEE-së janë arrestuar si bashkëpunëtorë në abuzimet me energjinë. Masa e ndërmarrë së fundmi nga qeveria, është pushimi nga puna për punonjësit që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Më 6 dhjetor, ministri i Drejtësisë vendosi shkarkimin e 131 policëve të burgjeve, pasi rezultonin debitorë të energjisë prej 13 vjetësh, ndërsa më 8 dhjetor, u pushuan nga puna 234 punonjës së OSHEE-së që kishin detyrime të papaguara të energjisë mbi 2 muaj. Masa e fundit e marrë nga qeveria për heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike që rezultojnë debitor, vlerësohet si masa më e rëndë ndëshkuese e ndërmarrë nga qeveria. Gjithashtu, kjo masë nuk ka asnjë referencë ligjore mbi të cilën të bazohet, përkundrazi, bie ndesh me disa ligje që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat e punëmarrësit në administratën publike. Gjithashtu, në këtë veprim të qeverise për heqjen nga puna të punonjësve të administratës publike, ka një nonsens logjik në veprimet që vijuan, pasi pak ditë pas largimit nga puna të punonjësve të parë, qeveria bëri publik vendimin për pagesën e faturës së papaguar, duke falur 80% të kamatëvonesës, rregull ky që nuk vlen për ata që punojnë në administratë publike.
  15. 15. Duhet parë sesi do të vijoje reforma ne sektorin energjetik. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri më tani, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar. 9. Goditja e monopoleve. Premtimi: Qeveria ka premtuar luftë kundër monopoleve, çka do të garantonte konkurrencë të ndershme mes bizneseve në treg, por edhe përfitime për qytetarët. Përshkrimi i situatës: Monopolet mbeten një ndër shqetësimet kryesore të tregjeve në Shqipëri, me pasoja jo vetëm për funksionimin normal të tregjeve, por edhe për qytetarët që nuk përfitojnë shërbime cilësore dhe me çmime konkurruese. Monopole janë vendosur në disa tregje nëpërmjet kontratave koncesionare të lidhura, si koncesioni i pullave fiskale, markimi i karburanteve, skanimi i kontenierëve, koncesioni i Portit të Durrësit, si dhe ai i kolaudimit të automjeteve. Fakti: Që në fushatë elektorale, qeveria premtoi goditje të monopoleve. Ky qëndrim u ritheksua nga Kryeministri Edi Rama pas marrjes së pushtetit. Ai deklaroi në seancën plenare të 31 tetorit 2013 se “do të shkatërrojmë çdo monopol që kemi gjetur dhe do të gjejmë në ajër, në det e në tokë. Konkurrenca e lirë do të vendosë dhe çdo monopol do të shkatërrohet. Çdo kompani do të ketë mes nesh respektin më të madh dhe çdo kompani do të jetë e detyruar të përgjigjet një më një për çdo detyrim”. Koncesioni i parë që qeveria anuloi ishte ai i skanimit të kontenierëve dhe më 14 gusht 2014, kompania Rapiscan çoi çështjen në arbitrazh ndërkombëtar. Kjo marrëveshje koncesionare parashikonte financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit. Koncesioni hasi që në fillim kundërshtimin e bizneseve, ndërsa në qershor të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontratës koncesionare, me argumentin se bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së. Një tjetër koncesion i paralajmëruar nga qeveria për t’u anuluar është ai i kolaudimit të automjeteve. Më 24 janar 2014, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi liberalizim të tregut të kolaudimit të automjeteve, duke mos përjashtuar mundësinë e anulimit të kontratës koncesionare. Por në këtë drejtim, nuk ka hapa konkrete. Një tjetër koncesion që qeveria është zotuar të anulojë është ai i pullave fiskale. Më datë 12 nëntor 2014, Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se qeveria ka nisur negociatat me kompaninë që ka koncesion dhe duhet pritur përfundimi i tyre.
  16. 16. Koncesionet monopol që pritet të anulohen: 1. Koncesioni i skanimit te kontenierëve; 2. Koncesioni i kolaudimit te automjeteve; 3. Koncesioni i pullave fiskale; 4. Koncesioni i markimit të karburanteve. Duhet parë se çfarë masash konkrete do të merren në vijim. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri me tani, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar. 10.Përmirësime radikale në sistemin e Shëndetësisë. Premtimi: Reforma në shëndetësi është një nga pikat më të rëndësishme të programit elektoral të Partisë Socialiste. Duke e quajtur shërbimin e kujdesit shëndetësor si një nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë, socialistët deklaronin në nisje të fushatës elektorale në vitin 2013 se shëndetësia shqiptare nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton. Ku do bazohej reforma: 1. Ndryshimi i sistemit kontributiv të sigurimit të kujdesit shëndetësor, pra “shëndetësia falas” përmes financimit nga taksimi i përgjithshëm; 2. Heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar në shërbimet dhe mallrat mjekësorë me efekt nga fillimi i vitit 2014; 3. Rritja e rolit të shëndetit publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor; 4. Zhvillimi i programeve kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë në intervalin e moshës 40-60 vjeç si dhe në mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë; 5. Hartimi dhe zbatimi rigoroz i protokolleve bashkëkohore të mjekimit; 6. Ngritja e një Shërbimi Kombëtar të Urgjencës Mjekësore që të sigurojmë prezencë të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke iu përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për kujdes në sëmundshmëri dhe trauma; 7. Hartimi korrekt e shkencor dhe zbatimi i protokolleve të mjekimit e procedurave standarde të punës është hap i domosdoshëm në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllimin final, rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor; 8. Spitalet do të administrohen në mënyrë efikase dhe do të financohen në bazë të paketave të shërbimit që paguesi i vetëm do të kontraktojë për kujdesin e nevojshëm spitalor të çdo individi; 9. Të gjithë spitalet publike dhe jopublike do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit fillestar dhe rivlerësimit periodik. Shërbimet spitalore universitare do të kenë rol parësor edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin;
  17. 17. 10. Do të vendosen standarde profesionale në ofrimin e shërbimit dentar, do të garantohet siguria e materialeve mjekësore dentare dhe do të kërkohet rivlerësimi periodik i aftësive profesionale të mjekëve stomatologë; 11. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës. Qendra e Kontrollit të Barnave do të shndërrohet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore. Fakti: Në harkun kohor të më shumë se një viti qeverisje, të majtët kanë realizuar këto ndërhyrje në sistemin shëndetësor: 1. Në 1 prill të vitit 2014 u hoq TVSH-ja për ilaçet, ndërkohë që listës së barnave të rimbursueshme iu shtuan edhe 55 produkte të reja. Kjo listë medikamentesh, e miratuar nga qeveria shkonte kryesisht për të sëmurët që vuanin nga kanceri, anemia, diabeti, sëmundjet kardiake e ato të neurologjisë. Për herë të parë u përfshinë në listë barna që përdoren për të kuruar edhe varësinë nga alkooli. Heqja e TVSH 10 % për barnat solli ulje të çmimit të tyre; 2. Në qershor të vitit 2014, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaroi se po bëhet furnizimi i vazhdueshëm i spitaleve me ilaçe. Sipas Z. Beqaj, ministria arriti të vërë në funksion një mekanizëm që garanton një furnizim të vijueshëm të spitaleve me barna. Gjithashtu u kryen kontrata afatgjata të mirëmbajtjes së pajisjeve të rëndësishme bio- mjekësore; 3. Edhe pse e prezantuar në fund të muajit shtator 2014, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor nisën të aplikojnë për herë të parë në nëntor 2014 paketat shëndetësore falas. Një analizë koronarografie, ndërhyrje by-pasi apo dializa bëhen falas edhe në spitalet private. Ministria e Shëndetësisë kreu procedurat për blerjen e 10 paketave të shërbimeve për të cilat pacientët prisnin me muaj në shtet. Kostot u llogaritën nga Fondi i sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe u nënshkruan kontrata me 5 spitale private në vend; 4. Lancimi i fushatës “Si je?” i cili nis nga janari i vitit 2014. Për herë të parë ofrohet në të gjithë vendin një kontroll i plotë shëndetësor falas për grupmoshën 40 deri në 65 vjeç. Pavarësisht ndërhyrjeve në çmimin e barnave, paketave shëndetësore, furnizimin e spitaleve publike me ilaçe si dhe nisjen e fushatës së “check up-it”, ndërhyrjet në sistem konsiderohen sipërfaqësore/arnuese dhe jo thelbësore për ndryshimin apo reformimin radikal të sistemit. Kësisoj, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar. 11. Punësim në bazë të meritës e konkurrencës. Premtimi: Punësimi në bazë të meritës dhe të konkurrencës ka qenë një nga premtimet elektorale të socialistëve para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Këtë premtim Kryeministri Rama e cilësoi edhe në konferencën online të 1 tetorit 2013, duke theksuar se “Çdo shërbëtor i këtij shteti që është në detyrë falë meritës do të qëndrojë në detyrë dhe do të respektohet shumë më tepër se deri sot”, duke iu përgjigjur shqetësimit lidhur me frikën e largimeve nga detyra. Sipas premtimit të Ramës, kujtdo do t’i jepej mundësia të konkurronte dhe për këtë do të kishte vazhdimisht njoftime publike sipas ligjit. Fakti.
  18. 18. 1. Në 18 tetor 2013, qeveria përmes Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito shpalli nisjen e organizimit të konkurseve të hapura, për t’i dhënë mundësi kujtdo që është i aftë të punojë në Administratën Publike. Këto konkurse u hapën fillimisht në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe në disa institucione në varësi të Ministrisë së Kulturës. Kandidatët u lajmëruan nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve, por edhe nëpërmjet bazës së të dhënave online; 2. Në shkurt 2014, qeveria i dërgoi Parlamentit për diskutime projektligjin "për disa ndryshime në ligjin për Nëpunësin Civil", pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi Aktin Normativ të Qeverisë. Dy prej neneve më të rëndësishme të projektligjit lidheshin me suprimimin e vendit të punës dhe dëmshpërblimin që në këtë projektligj parashikohej të ishte 1 deri në 3 paga mujore. Këto ndryshime që më pas u miratuan në Parlament pa votën e opozitës, sollën edhe debat mes dy palëve. Për opozitën ndryshimet që iu bënë ligjit për Nëpunësin Civil, ishin antikushtetuese dhe ligjëronin shkarkimet nga puna; 3. Në gusht 2014, Departamenti i Administratës Publike shpalli për herë të parë numrin prej 113 vendesh të lira pune nga 157 pozicione në nivel specialist, në të gjithë Administratën Shtetërore. Procesi ishte pezulluar deri në plotësimin e ligjit të ri për nëpunësin civil me aktet e duhura nënligjore, efektet e të cilit filluan më 26 Shkurt 2014. Ishte hera e parë që në Administratën Shtetërore nuk pati konkurse për pozicion pune, por konkurse për një grup pozicionesh, që do të thotë konkurse masive, por të grupuara për pozicione të ngjashme. Fituesve të këtyre konkurseve iu dha mundësia të zgjidhnin se ku donin të punonin, ndryshe nga praktikat e mëparshme, ku titullarët zgjidhnin nga lista e fituesve. Aplikimet u bënë në faqen online të Departamentit të Administratës Publike; 4. Pas inspektimit të Ministrisë së Arsimit në nëntor 2014, ku rezultuan 2056 mësues jashtë profilit të tyre, institucioni shpalli 1984 vende të lira pune, të mbetura vakante nga largimi i mësuesve që ishin jashtë profilit. Testimi u zhvillua në 6 dhjetor në 12 qarqet e vendit. Konkluzion: Aplikimet për vende pune në Administratën Shtetërore për herë të parë, me ardhjen në pushtet të socialistëve, nisën të bëhen transparente nëpërmjet faqeve online të ministrive përkatëse, të cilat vijojnë të jenë po të tilla. Ndryshimet e bëra në ligjin e “Nëpunësit Civil” shënuan gjithashtu zhvillime pozitive për sa i përket transparencës. Por nëse marrja në punë, pas aplikimit dhe testimeve, pra pranimi i të punësuarve përmes meritës dhe konkurrencës është e tillë, kjo mbetet një çështje e pamatshme. Ky premtim konsiderohet i pamatshëm. 12. Goditja e të korruptuarve në Institucionet Publike. Premtimi: Në 1 tetor 2013, Kryeministri Edi Rama zhvilloi konferencën e tij të parë online si kryetar i qeverisë. Në morinë e pyetjeve të bëra nga qytetarët ai deklaroi se është i vendosur për të “goditur” të gjithë të korruptuarit në institucionet publike. I pyetur nëse do të kishte kallëzime penale për ndonjë nga ish-pushtetarët, në rast se do të verifikoheshin afera korruptive të kryera prej tyre, Kryeministri Rama u përgjigj: “Padyshim që po”.
  19. 19. Faktet. Dosja “Arben Imami”. Ish-ministri i Mbrojtjes është i vetmi ministër i kallëzuar drejtpërdrejt nga pasardhësja e tij, Mimi Kodheli. Ajo e akuzoi Imamin në dhjetor 2013 për abuzime me tenderat e reklamave si dhe për blerjen e tritolit, për kalimin e pronësisë së sport-klub “Partizanit”, madje edhe për pajisjet përgjuese të SHIU-t. Por, në shtator 2014, Prokuroria e Rrethit Tiranë dha vendim për mbylljen e hetimit për dosjen Imami. Pushimi i hetimit për Imamin dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar, erdhi për shkak se gjatë hetimeve nuk u gjetën element të precedentit penal, pra shpërdorim të detyrës. Veprimtaria ligjore e Imamit ishte bazuar në një VKM të vitit 2008, edhe pse ky vendim bie në kundërshtim me ligjin për Prokurimet Publike. Prokuroria iu referua kësaj VKM-je për të pushuar çështjen, ndërkohë që vendimi i Këshillit të Ministrave është ende në fuqi. Dosja e Paktit Detar me Greqinë. Në 28 maj të vitit 2014, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dërgoi në prokurori një informacion për abuzimet e marrëveshjes detare për Detin me Greqinë në vitin 2009, konkretisht vepra penale e “dorëzimit të territoreve”. Në atë kohë, ky pakt u firmos nga Lulzim Basha në postin e Ministrit të Jashtëm si dhe u përgatit nga një grup negociator. Vetëm në 22 nëntor 2014, Prokuroria e Tiranës sekuestroi dosjen e plotë të këtij pakti. Prokuroria pritet të marrë në pyetje edhe grupin negociator prej 11 personash, por ende nuk dihet nëse pjesë e pyetjeve do të jetë edhe ish Ministri i Jashtëm i kohës, Lulzim Basha. Dosja “Ridvan Bode”. Pas një kallëzimi penal të ministrit të Financave Shkëlqim Cani, njësia Task Forcë Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës mori në 15 tetor 2014, kallëzimin penal kundër Ridvan Bodes dhe Sherefedin Shehut për kredinë me 13,5 për qind interes të marrë në vitin 2009, për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Organi i akuzës është ende në fazën e kërkimit të informacioneve nga Ministria e Financave, bankat e nivelit të dytë të cilat kanë marrë pjesë në tender, si dhe nga vetë ish Ministri i Financave Ridvan Bode dhe ish zëvendësi i tij, Sherefedin Shehu. Dosja e ish shefit të Kabinetit të Spiro Kserës. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe një ish punonjëse e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, në kohën kur ky dikaster drejtohej nga ministri Spiro Ksera, kallëzoi në tetor 2013, në Prokurorinë e Tiranës, katër drejtues të lartë të kësaj ministrie. Ata u akuzuan për korrupsion, pasi paracaktuan një tender prej 20 milion lekësh për një spot televiziv, i cili nuk u realizua asnjëherë. Të katër të akuzuarit morën masën “arrest me burg”, por dy prej tyre Kleves Bitro, ish Drejtor i Kabinetit dhe Murat Mehmeti janë ende të shpallur në kërkim. Dosja “Hysni Burgaj”. Në shkurt 2014, Ministria e Brendshme paditi ish Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj për shkelje me reklamat televizive, në lidhje me një tender prej 3.1 milionë dollarësh në dëm të buxhetit të shtetit. Përveç Burgaj, u kallëzuan në Prokurori edhe nëntë ish drejtues të tjerë të policisë po me të njëjtën akuzë. Tetë muaj pas hetimeve, në shtator 2014, Prokuroria e Tiranës, me pretendimin se procedura e ndjekur nuk përmban element të shkeljes së ligjit, solli pushim të çështjes. Fakte të tjera:
  20. 20. Dosja e ”21 janarit”. Rihapja e çështjes mbi ngjarjet e rënda të protestave të 21 janarit 2011, që çuan në vrasjen e 4 qytetarëve nga forcat e Gardës së Republikës dhe vënia para drejtësisë së personave që urdhëruan vrasjet e 4 qytetarëve, është një nga premtimet elektorale të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Megjithëse ka kaluar 1 vit e katër muaj qeverisje të Partisë Socialiste, nuk ka ende asnjë reagim zyrtar të institucioneve ekzekutive për të kërkuar zyrtarisht rihapjen e dosjes së 21 janarit. Dosja e “Gërdecit”. Ngjarja e rëndë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 qytetarë dhe u dëmtuan rëndë me dhjetëra të tjerë, është një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Shqipëri, jo vetëm për faktin që humbën jetën 26 persona, por edhe për faktin se ngjarja e rëndë zbuloi një mega korrupsion mes zyrtarëve më të lartë të qeverisë Berisha dhe biznesmenëve që drejtonin aktivitetin e paligjshëm të demontimit jashtë kushteve teknike të armëve luftarake. Ecuria e çalët dhe problematike e procesit gjyqësor për nxjerrjen përpara drejtësisë së fajtorëve të vërtetë të tragjedisë, bëri që zyrtarë të Partisë Socialiste të deklaronin në mënyrë permanente se, vendosja e drejtësisë për viktimat e shpërthimit të Gërdecit, do jetë një nga angazhimet kryesore të Partisë Socialiste, e përmendur kjo edhe në zgjedhjet e fundit të 23 qershorit 2013. Edhe për këtë çështje të një rëndësie të veçantë, nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga institucionet qendrore, për të kërkuar rihapjen e çështjes se Gërdecit në tërësi, duke përfshirë edhe të akuzuarin kryesor për çështjen Fatmir Mediun. Përfundime: Siç shihet edhe nga përshkrimi i fakteve më sipër, “goditja” e korrupsionit të ish zyrtarëve të lartë të qeverisë Berisha, ka mbetur në nivelin e kallëzimeve penale të cilat më pas pushohen nga Prokuroria, ndërsa për disa të tjera është zgjedhur heshtja. Ky premtim konsiderohet i pavërtetë/ i parealizuar. 13. Formalizmi i Ekonomisë. Premtimi: Qeveria është zotuar të formalizojë ekonominë, duke zgjeruar bazën e tatimpaguesve. Përshkrimi i situatës: Ekonomia shqiptare ka ende probleme me formalizmin. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, pjesa “gri” e ekonomisë vlerësohet në rreth 30%. Për shkak të nivelit relativisht të lartë të ekonomisë informale, buxheti i shtetit humbet me miliona lekë çdo vit, ndërkohë që kjo krijon problem edhe me ruajtjen e konkurrencës se ndershme në treg, pasi një biznes që nuk paguan taksa dhe tatime është i favorizuar në fitimet që siguron kundrejt një biznesi të rregullt. Fakti: Në këtë vit të parë të qeverisjes, qeveria ka synuar të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet politikës së saj të taksave dhe tatimeve. Në buxhetin 2014, u aplikua për herë të parë taksa progresive, që parashikonte ulje të barrës fiskale për të punësuarit me paga të ulëta. Nëpërmjet një mase të tillë, synohej jo vetëm që të ndihmoheshin shtresat e varfra, por që të nxiteshin bizneset që kishin të punësuar me paga të ulëta që të bënin deklarimin e tyre. Nga ana tjetër, ne paketën fiskale të këtij viti u parashikua rritja e tatimit mbi fitimin nga 10 në 15%. Sipas përfaqësuesve të biznesit, si Konfindustria, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës etj, kjo masë do të ndikojë në shtimin e evazionit, pasi rritja e taksës do të bëjë që bizneset t’i shmangen deklarimit.
  21. 21. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për vitin 2014, rreth 8.7% e rritjes së të ardhurave ka ardhur nga mirë-administrimi dhe ky është një tregues i luftës kundër evazionit. Por vlen të theksohet, se pjesa më e madhe e rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit është pasojë e rritjes së taksave në paketën fiskale, e parashikuar këtë vit me 23 miliardë lekë. Edhe në paketën fiskale 2015, qeveria gjithashtu ka parashikuar rritje të taksave dhe tatimeve, çka do të sigurojë 16 miliardë lekë më shumë për arkën e shtetit. Ndërkohë që nga mirë-administrimi ka planifikuar të siguroje rreth 30 miliardë lekë më shumë. Ndërkaq problem për tregun mbetet ende mosfunksionimi i kasave fiskale dhe lëshimi i kuponit tatimor. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Financave kanë deklaruar në korrik të këtij viti se do të organizohet një Lotari Kombëtare, ku qytetarët mund të fitojnë dhurata të ndryshme nëpërmjet mbledhjes së kuponëve tatimore dhe hedhjes në lotari të tyre. Ky projekt, që synon marrjen e kuponit dhe luftën kundër evazionit mbetet ende në letër. Duhet pare sesi do të vijojë mirë-administrimi fiskal dhe masat e tjera që do të merren në luftën kundër evazionit fiskal. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar. 14. Paketë për Reformën në Drejtësi. Premtimi: Drejtësia dhe reformimi i saj, si një nga detyrat e rëndësishme që duhet përmbushur por edhe një sfidë madhore në punën e qeverisë së re. Përshkrim i përgjithshëm: Drejtësia në Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të jetë sfida e humbur e çdo qeverie në këto 25 vite demokraci. Çdo qeveri që ka drejtuar vendin këto 25 vite, si Partia Demokratike ashtu dhe Partia Socialiste kanë treguar mungesë vullneti për të zhbërë dhe rindërtuar një sistem drejtësie të aftë për të qenë e pavarur, e pa korruptuar dhe e barabartë për të gjithë.  Fakti: Gjatë kësaj periudhe, që përkon me 1 vit e katër muaj qeverisje, është bërë pak për të mos thënë aspak në kuadër të reformimit thelbësor të sistemit të drejtësisë. Gjate kësaj periudhe janë konstatuar disa ndërhyrje anësore në sistem, pa ndikim direkt në përmirësimin e performancës së gjyqësorit. Disa nga ndërhyrjet ligjore dhe masat që janë marrë për verifikimin dhe ndëshkimin e rasteve korruptive janë, si më poshtë vijon:  Miratimi i paketës ligjore antikorrupsion, duke bërë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke klasifikuar korrupsionin si krim të rëndë, kur kjo kryhet nga zyrtarët e lartë, gjyqtarët, prokurorët etj, dhe përcaktuam se në këto raste do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda;  2 gjyqtarë janë arrestuar për veprën penale të korrupsionit;  3 gjyqtare po hetohen për fshehje të pasurisë në miliona euro, (rasti Gjin Gjoni);
  22. 22.  Ngritja e portalit online në webin e Ministrisë së Drejtësisë për denoncimin e korrupsionit në gjyqësor;  Regjistri Dixhital i Noterisë nëpërmjet sistemit “One Stop Shop’, për transaksionet me pasuritë e paluajtshme, duke shmangur fenomenet korruptive në këtë sistem;  Regjistrimi dhe digjitalizimi i të gjithë vendimmarrjes së AKKP-së, ndër vite, përmes skanimit dhe regjistrimit në një data-bazë të unifikuar. Pavarësisht ndërhyrjeve të sipërpërmendura, mbetet ende shumë punë për t’u bërë në reformimin tërësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, kësisoj ky premtim mbetet ende i pavërtetë/ i parealizuar. 15. Marrja nën kontroll e pasurive kombëtare. Premtimi: Në 21 maj të vitit 2013, në Konventën Zgjedhore te Partisë Socialiste, deputeti Eduard Shalsi deklaronte se pjesë e misionit të socialistëve pas fitores në 23 Qershor, ishte vendosja dhe marrja nën kontroll e të gjithë pasurive shqiptare. Sipas z.Shalsi, qeveria e shkuar i kishte shfrytëzuar në mënyrë barbare pasuritë natyrore dhe përfituesit ishin vetëm një klikë afër pushtetit. Fakti 1. Menjëherë pas nisjes zyrtare të punës, Këshilli i Ministrave anuloi më 1 tetor 2013, 25 vendime të kabinetit Berisha, kryesisht të marra në muajt e fundit të qeverisjes. Këto vendime kishin të bënin me koncesione në fushën e energjisë dhe burimeve natyrore, si dhe me dhënien e pasurive publike në përdorim nga entet private. Shtatë hidrocentraleve iu hoq leja koncesionare. U anulua gjithashtu vendimi për ndërtimin e Porteve të Jahteve, në Porto Palermo, Himarë; 2. Në 23 janar të vitit 2014, Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin e marrë në gushtin e vitit 2012 i cili jepte me koncesion për 30 vjet, rreth 3 km të vijës bregdetare shqiptare, nga plazhi i Dhërmiut në plazhin Perivolli. Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, sqaroi asokohe se ky vendim është në kuadër të ndërhyrjeve të nevojshme legjislative, të cilat vlerësohen emergjente për çlirimin e këtyre zonave nga ndërtimet dhe ndërhyrjet e paligjshme, në dëm të interesave të qytetarëve; 3. Në 7 mars 2014, Ministri i Energjitikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri firmosi nisjen e procedurave për revokimin e 121 lejeve minerare, që përbëjnë rreth 16% të totalit të lejeve të lëshuara. Urdhri i Ministrit u lëshua pas kontrollit që strukturat e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ushtruan për subjektet të cilat ishin pajisur me leje për zhvillimin e aktivitetit minerar. Gjatë këtij auditimi, u evidentua mos zbatim i rregullave dhe detyrimeve financiare ndaj shtetit; 4. Kalimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga administrimi privat në atë shtetëror. Nga 17 tetori 2014, shteti shqiptar nënshkroi marrëveshjen finale me çekët e ÇEZ, për të kaluar në masën 100 % të aksioneve të shoqërisë OSHEE shtetit. Mbyllja e betejës sipas Ministrit të Energjitikës, z. Gjiknuri i hap rrugë investimeve dhe ndërhyrjeve në rrjet, të cilat ishin peng i një privatizimi të dështuar. Nga kjo marrëveshje e dakortësuar mes qeverise shqiptare dhe kompanisë CEZ, kjo e fundit përfitoi 95 milion euro. Duke gjykuar veprimet e deri tanishme të mazhorancës, premtimi për marrjen nën kontroll të pasurive kombëtare duket pjesërisht i realizuar. Megjithatë mbetet për t’u parë në vitet e tjera
  23. 23. të mandatit qeverisës se çfarë do të ndodhë me kompaninë “Albpetrol”, për të cilën ministri Gjiknuri ka deklaruar se “qeveria shqiptare do ta rinxjerrë në shitje, por me kushte të reja privatizimi”. Ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar. 16. Nisja e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Premtimi:Qeveria është zotuar që të realizojë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje dhe kryerjen e urbanizimit të këtyre zonave, si një forme për t’i dhënë fund kaosit urban dhe për të zhvilluar territorin sipas planeve urbanistike. Sipas premtimit, legalizimet do të jenë falas. Përshkrimi i situatës: Ndërtimet informale të pa legalizuara janë një ndër problemet më të mprehta të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare në këto 24 vitet e fundit. Pavarësisht zotimit të të gjitha qeverive, ky proces nuk është realizuar. Kjo për shkak të numrit të madh te objekteve për t’u legalizuar, por edhe problematikës së shumtë të procesit. Sipas të dhënave nga ALUIZNI, deri në fund të vitit 2013, rezultojnë se janë kryer rreth 22 mijë legalizime nga rreth 293 mijë aplikime për legalizim. Fakti: Hapi i parë që qeveria ndërmori për të zgjidhur çështjen e legalizimeve ishte ndryshimi i ligjit nr. 9482 datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, që hyri në fuqi në prill 2014. Ndryshimet parashikonin përfshirjen në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje të ngritura në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në datën e hyrjes në fuqi të ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht funksionit dhe faktit nëse për to është kryer vet-deklarimi gjatë afatit të përcaktuar. Kjo bën të mundur identifikimin e ndërtimeve pa leje, të ngritura pas përfundimit të afatit për legalizim dhe trajtimin në mënyrë përfundimtare, përmes procedurave administrativo-ligjore. Gjithashtu, ndryshimet në ligj përfshinin krijimin e lehtësirave financiare për subjektet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, duke i përjashtuar nga pagesa e tarifës së shërbimit për procedurat e legalizimit (evidentimi në terren i ndërtimeve pa leje, përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor) dhe kryerjen falas të këtij shërbimi. Pra procedurat e legalizimit të shtëpive u bënë falas për qytetarët. Ndryshimet në ligj parashikonin edhe mënyrat alternative të pagesës, siç është pagesa e pjesshme me bono privatizimi, nxitjes për shlyerjen e menjëhershme të detyrimit përmes reduktimit të vlerës dhe përfshirjes në skema alternative të pagesës së parcelës ndërtimore të subjekteve që janë në kushtet e paaftësisë paguese dhe posedojnë ndërtime pa leje me funksion banimi. Në vijim, qeveria miratoi disa VKM për të plotësuar paketën ligjore të procesit të legalizimit. Një ndër VKM-të kryesore ishte ndryshimi i skemës së vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtin çmim, si në Tiranë edhe në Kukës apo Gjirokastër etj. Një tjetër masë që u mor ishte rritja e bashkëpunimit mes ALUIZNI-t, Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që të shkurtohej koha e operimit. ALUIZNI ka lënë 31 dhjetorin si afat të fundit për vet-deklarimin. Pas kësaj date, të gjithë objektet pa leje që nuk janë në proces legalizimi do të shemben.
  24. 24. Duhet parë sesi do të vijojë procesi i legalizimit dhe lëshimi i certifikatave të pronësisë. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar/ për t’u verifikuar. 17. Ulja e moshës së daljes në pension të personave që punojnë në punë të vështirë, minatorët etj. Premtimi: Mazhoranca aktuale premtoi në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, uljen e moshës së daljes në pension për personat që kryejnë punë të vështira, kryesisht minatorët. Minatorët e nëntokës dalin në pension në moshën 60 vjeç. Përshkrimi i situatës: Ulja e moshës së pensionit për minatorët ka qenë një kërkesë e hershme e Bashkimit te Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë. Ata kanë kërkuar uljen e moshës së pensionit në 55 vjeç, me 25 vjet punë, nga të cilat 12.5 vjet në nëntokë dhe 12.5 në sipërfaqe. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të vendit, z. Gëzim Kalaja ka kryer korrespondenca të vazhdueshme me qeverinë aktuale jo vetëm për uljen e moshës së daljes në pension, por edhe rritjen e pensionit. Fakti: Më 3 shtator 2014, pra në harkun kohor të një viti mandat qeverisës, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për uljen e moshës së minatorëve. Projektligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, pasi kaloi në komisionet parlamentare, u miratua në seancën parlamentare të datës 6 nëntor 2014 në Kuvend, duke ulur kështu moshën e daljes në pension në 55 vjeç, nga 60 që ishte, për minatorët e nëntokës. Ulja e moshës së daljes në pension përmbush kështu, kërkesën e sindikatave të minatorëve, si nevojë që lidhet me kushtet e vështira të punës në këtë sektor. Sipas ligjit, periudha e sigurimit shoqëror parashikohet 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë. Në deklaratat e tij, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, u shpreh se: “Me uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve, mbajtëm premtimin e dhënë që në vitin e parë të qeverisjes tonë. Ndjesë për 8 vitet e qeverisjes së shkuar, gjatë të cilave qeveria e kaluar u tall vazhdimisht me shtresën e minatorëve, të cilët bëjnë çdo ditë një punë të vështirë”. Kush përfiton: Nga ulja me pesë vite e moshës së daljes në pension të minatorëve, përfitojnë 3 mijë e 840 punonjës së këtij sektori, nga të cilët, 3690 persona janë aktualisht përfitues të skemës së trajtimit të veçantë financiar, në zbatim të ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe pjesa tjetër janë përfitues të rinj. Sipas ligjit, bazuar në numrin aktual të të punësuarve në miniera në nëntokë, parashikohet që për katër vite numri i personave që përfitojnë nga ulja e moshës të arrijë pikërisht në këtë shifër. Personat që do të trajtohen sipas këtij ligji të ri, përveç pensionit të parashikuar, do të përfitojnë edhe kompensimin për të ardhurat minimale, si dhe kompensimet që rrjedhin nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, ashtu si edhe personat e tjerë që përfitojnë pension pleqërie. Ligji sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, sjell rritjen e pensionit jo vetëm për ata që do të dalin në pension me ligjin e ri, por edhe për ata që janë aktualisht në pension. Këta të fundit, nga 9 mijë lekë që marrin çdo fund muaji me ligjin e ri do të paguhen rreth 5500 lekë më tepër. Ndërsa minatorëve që do t’u përllogaritet pensioni me formulën e re, do të përfitojnë deri në 21 mijë lekë. Në total, efekti financiar vjetor për 3 mijë e 840 përfituesit, arrin në 739 milion lekë. Sipas procedurës, pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, ligji i ri duhet të botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi 15 ditë pas këtij publikimi. Ligji është botuar në Fletoren
  25. 25. Zyrtare të datës 1 dhjetor 2014, pra hyn në fuqi më 16 dhjetor 2015. Ky premtim konsiderohet i vërtetë/i realizuar. 18. Një sistem të së ardhmes ku të gjithë do të përfitojnë shërbim shëndetësor falas dhe ku do të jenë vetë bordet e spitaleve që do vendosin për aparaturat. Premtimi: Në 16 shkurt të vitit 2013, kryeministri aktual, atëherë kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama, deklaroi nga Elbasani se në programin elektoral të së majtës për shëndetësinë, në sistemin e ri që propozohej, të gjithë do të përfitonin shërbim shëndetësor falas dhe vete bordet e spitaleve do të vendosin për aparaturat që do të blinin. Pra me ardhjen në pushtet Partia Socialiste do të përmbyste skemën aktuale të funksionimit të sistemit, ku çdo person paguan 1.7% të pagës se tij dhe po të njëjtën vlerë e derdh kontribut punëdhënësi. Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, që kryesoi grupin hartues të programit për shëndetësinë, deklaroi në shtator të vitit 2013, se mjafton të kesh nënshtetësi shqiptare për t’u kuruar falas. Pra, shqiptarët nuk do të paguanin më sigurime shëndetësore, për të marrë rrjedhimisht shërbimin e nevojshëm. Nga ana tjetër, për blerjen e aparaturave të mëdha spitalore, nuk do të vendoste më Ministria e Shëndetësisë, por vetë bordet e spitaleve. Ky premtim mban brenda tij, dy nën-premtime. Fakti: Që çdo qytetar të përfitojë shërbim shëndetësor falas, do të thotë që mos të paguajë kontribute të sigurimit shëndetësor, pra të financohet nga taksimi i përgjithshëm. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi në emisionin televiziv “Kapital” të datës 5 dhjetor 2014, se kjo skemë, pra heqja e sigurimit shëndetësor do të nisë nga 1 janar i vitit 2017. Sipas ministrit, skema “kush fiton më shumë, paguan më shumë”, do të sjellë të ardhura në buxhetin e shtetit, nga ku do të vijë edhe financimi për shëndetësinë. E gjithë kjo skemë do të fillojë të funksionojë, me miratimin e një ligji të ri, deklaroi Beqaj. Nga ana tjetër, opozita e ka quajtur këtë premtim të mazhorancës “një mashtrim” të madh elektoral. Nga ana tjetër qeveria ka ndërmarrë për herë të parë fushatën e Kontrollit të Shëndetit pa Pagesë, për të gjithë shqiptarët e grup-moshës 40-65 vjeç, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky kontroll nis janarin e vitit 2015. Në 415 qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, do të përballojnë fluksin e atyre që do të paraqiten për t’iu nënshtruar kontrollit. “Po përcaktojmë një hartë relativisht të largët, të cilën do ta bëjmë me njësi të lëvizshme. Do të jenë pesë njësi të lëvizshme në rreth 15% të territorit shqiptar që nuk do ta bëjnë kontrollin në muajin janar, por do ta bëjnë nga muaji maj, deri ne 30 shtator” ka deklaruar z. Beqaj në 5 dhjetor 2014. Një nga veprimet e ndërmarra nga qeveria në kuadër të plotësimit të këtij premtimi lidhet me iniciativën e prezantuar në fund të muajit shtator 2014. Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor nisën të aplikojnë për herë të parë në nëntor 2014 paketat shëndetësore falas. Një analizë koronarografie, ndërhyrje by-pasi apo dializa bëhen falas edhe në spitalet private. Ministria e Shëndetësisë kreu procedurat për blerjen e 10 paketave të shërbimeve për të cilat pacientët prisnin me muaj në shtet. Kostot u llogaritën nga
  26. 26. Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe u nënshkruan kontrata me 5 spitale private në vend. Ndërsa për nën-premtimin, ku bordet e spitaleve do të vendosnin vetë për aparaturat që blejnë, asgjë nuk ka ndryshuar nga skema aktuale, ku aparaturat e mëdha të spitaleve vijojnë të blihen nga Ministria e Shëndetësisë. Duke vlerësuar faktet e mësipërme, mund të konkludohet se asnjë nga dy premtimet nuk është realizuar. Megjithëse qeveria nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë prezantoi paketën për vizita falas në disa spitale private, kjo nuk përbën ndryshim rrënjësor të sistemit apo një politikë të qëndrueshme, kjo mbetet në kuadrin e tentativës për të quajtur të ezauruar këtë proces. Kësisoj ky premtim konsiderohet i pavërtetë/i parealizuar. 19. Brenda 9 mujorit të parë do shlyhen të gjitha borxhet e punëve publike. Premtimi: Mazhoranca aktuale premtoi që në fushatë elektorale shlyerjen e të gjitha borxheve të punëve publike brenda 9 mujorit të parë të qeverisjes, në përpjekje për të krijuar një marrëdhënie të re me biznesin, për të rikthyer besimin e sipërmarrjes te institucionet shtetërore dhe për ta paraqitur veten si një qeveri e përgjegjshme, që merr përsipër detyrimet (edhe pse të krijuara nga qeveria e mëparshme) dhe respekton kontratat. Përshkrim i situatës: Detyrimet e prapambetura ndaj biznesit u krijuan në periudhën e ish qeverisë Berisha, si pasojë e mos-shlyerjes së kontratave të lidhura kryesisht për punët publike në periudhën tre vjeçare 2011-2013. Mos shlyerja e faturave futi në ngërç likuiditeti biznesin, i cili u detyrua të vazhdonte punimet në veprat publike të nisura, duke marrë kredi në bankë ose borxh te subjektet e tjera. Kjo krijoi një rrjet borxhesh në ekonomi, që u pasua me ulje të parasë në qarkullim. Të gjendur në vështirësi financiare, shumë kompani nuk mundën të kthenin kreditë në banka. Si rrjedhim, treguesi i kredive me probleme u rrit ndjeshëm, duke kapur sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, edhe rekordin e 24.4% në fund të 2013-ës. Duke parë këtë ngërç në ekonomi, por edhe gjendje të vështirë të bizneseve, që janë kontribuuesi kryesor i rritjes ekonomike me 80% dhe gjeneruesi kryesor i punësimit, qeveria aktuale i qëndroi premtimit për shlyerje të detyrimeve. Fakti: Sipas qeverisë, totali i borxheve ndaj biznesit arrin në 72.6 miliardë lekë. Për të certifikuar shifrën, qeveria kontraktoi në tetor të vitit 2013, kompaninë Deloitte për të bërë vlerësimin e saj për borxhet, një shërbim për të cilin ajo u pagua me 85 mijë euro. Në buxhetin e vitit 2014, të miratuar nga parlamenti në dhjetor të 2013-ës, u parashikua për shlyerjen e detyrimeve ndaj sipërmarrjes një shumë prej 35 miliardë lekësh. Në shkurt të vitit 2014, qeveria me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 50, datë 5.02.2014, miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura e të planit të veprimit ndaj biznesit dhe individëve. Strategjia parashikonte shlyerjen e këtyre detyrimeve brenda një periudhe tre vjeçare, duke filluar nga viti 2014. Për vitin e ardhshëm, në buxhetin 2015 është parashikuar për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit një shumë prej 20 miliardë lekësh ose 15 miliardë lekë më pak se shuma e planifikuar në buxhetin 2014.
  27. 27. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në kuadër të strategjisë, deri më datë 29 korrik 2014, janë alokuar rreth 30 miliard lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) investimet publike (janë alokuar 9.5 miliard lekë), (ii) shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime dhe kategori të tjera (janë alokuar rreth 6.7 miliard lekë), rimbursim i TVSH (janë alokuar rreth 13.5 miliard lekë) dhe në sektorin energjetik rreth 4.4 miliard lekë. Duke llogaritur edhe detyrimet e paguara në dhjetor 2013 për personat me aftësi të kufizuar, ku janë shlyer rreth 2 miliard lekë dhe për sektorin e infrastrukturës rrugore 3 miliard lekë, në total fatura e borxheve të vjetra të alokuara deri më tani arrin gati 35 miliard lekë. Në lidhje me rimbursimin e TVSH, pas rakordimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ministria e Financës ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, subjekte për të cilat ka alokuar rreth 13.5 miliard lekë. Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për “investimet publike’, është proceduar deri në vitin 2012 dhe po vazhdohet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të vitit 2013. Ndërsa për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për “shpenzimet korente”, aktualisht janë proceduar detyrimet e prapambetura në sektorin e shëndetësisë dhe është në proces shlyerja e detyrimeve për sektorët e tjerë. Në kategorinë “të tjera” janë proceduar detyrimet e prapambetura për vendimet gjyqësore dhe shpronësimet. Duhet pare sesi do të vijojë shlyerja e detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2015 dhe 2016. Duke pasur parasysh se mazhoranca aktuale kishte si premtim fillestar shlyerjen e këtyre detyrimeve brenda 9-mujorit të pare, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.
  28. 28. 20. Nuk do krijohet asnjë borxh i ri ndaj biznesit. Premtimi: Qeveria është zotuar se nuk do të krijojë detyrime të reja të prapambetura ndaj biznesit dhe se do të bëjë shlyerjen në kohë të detyrimeve të parashikuara në kontratat me biznesin, si dhe rimbursimin e TVSH-së. Përshkrimi i situatës: Shlyerja në kohë e detyrimeve ndaj biznesit dhe mos-krijimi i borxheve të reja do të krijojë një klimë besimi mes qeverisë dhe sipërmarrjes private, do t’i krijojë mundësinë biznesit të vazhdojë projektet e tij dhe të paguajë në kohe detyrimet fiskale apo detyrimet ndaj palëve të treta. Kjo do të bëjë të mundur zhvillimin e ekonomisë sipas ciklit normal dhe pa të papritura të pakëndshme. Fakti: Parandalimi i rikrijimit të detyrimeve të prapambetura është konsideruar nga qeveria po aq i rëndësishëm sa edhe shlyerja e borxheve të vjetra. Ministria e Financave ka zhvilluar një analizë të shkaqeve të pagesave të vonuara dhe do të miratojë masa specifike për të forcuar disiplinën buxhetore, kryesisht në drejtim të planifikimit buxhetor. Këto masa kërkojnë zbatimin me rigorozitet të kërkesave ligjore nga ana e titullarëve, nëpunësve autorizues. Sanksionet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi do të zbatohen në rastet e shkeljes së kërkesave ligjore e nënligjore. Masat për forcimin e disiplinës financiare përfshijnë, sigurimin e financimit të mjaftueshëm në vitin ushtrimor dhe në vitet në vazhdim përpara se të fillojë prokurimi. Si një masë e nevojshme kontrolli, regjistri i prokurimeve depozitohet zyrtarisht dhe elektronikisht në degën e thesarit, në fillim të çdo viti buxhetor, si dhe çdo rishikim i tij gjatë vitit. Në çdo rast, shuma totale e prokurimeve duhet të jetë e barabartë ose më e vogël se fondet e miratuara për vitin buxhetor ose për më shumë se një vit (për kontratat shumëvjeçare të investimeve). Gjithashtu, behet e ditur se Këshilli i Ministrave do të miratojë kufijtë shumëvjeçarë të angazhimeve, si pjesë të dokumentit të buxhetit afatmesëm dhe në vitin 2015, këta kufij do të miratohen nga Kuvendi, si pjesë e ligjit të buxhetit vjetor, pas rishikimit të bazës ligjore për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë. Mbi këtë bazë, edhe respektimi i angazhimeve do të monitorohet dhe kontrollohet nëpërmjet Sistemit Informativ Financiar të Qeverisë (SIFQ). Që nga janari 2014, të gjithë urdhrat e prokurimit për mallrat, shërbimet dhe investimet e nxjerra gjatë vitit, përveç blerjeve emergjente me vlerë nën 10,000 lekë, duhet t’i përmbahen regjistrit të prokurimeve të dorëzuar në thesar dhe do të vulosen nga dega e thesarit të rrethit nëse ka fonde buxhetore në dispozicion të institucionit, përpara procedimit sipas rregullave të prokurimit publik. Për mallrat, shërbimet, për të cilat ka nisur procesi i tenderimit përpara hyrjes në fuqi të strategjisë, do të paraqitet kontrata në degën e thesarit, për t’u kontrolluar kundrejt fondeve disponibël. Deri më tani, qeveria nuk ka krijuar borxhe të reja. Duhet parë sesi do të vijojë miratimi i ndryshimeve ligjore dhe shlyerja e detyrimeve për biznesin. Në bazë të ecurisë së deritanishme, ky premtim konsiderohet i vërtetë/i realizuar/për verifikim. 21. Rimbursimi i TVSH është kërkesa juaj dhe reflektimi ynë është që, vetëm TVSH e parimbursuar, gjobat dhe detyrimet publike të palikujduara, vetëm këto e çojnë taksën e sheshtë në 22% të tatimfitimit dhe ne do rikonceptojmë të gjithë zinxhirin e TVSH dhe nuk do ketë më vonesa që administrata ka ndaj biznesit dhe do likuidohen në kohë.
  29. 29. Premtimi: Mazhoranca aktuale premtoi në fushatën elektorale te 23 qershorit, zgjidhjen e problemit për rimbursimin e TVSH-së për bizneset, që është konsideruar një ndër ngërçet më të mëdha në marrëdhënien biznes-tatime. Përshkrim i situatës: Rimbursimi i TVSH-së ka qenë një problem i hershëm, me të cilin janë përballur bizneset në Shqipëri, veçanërisht ato eksportuese. Administrata tatimore nuk rimbursonte në kohë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që shpesh arrinte në miliona lekë për subjekt, duke e futur në krizë likuiditeti këtë të fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të dhjetorit 2013, vlera totale e TVSH-së së parimbursuar arrinte në 78.4 miliardë lekë. Fakti:Lidhur me këtë çështje, në muajin mars të këtij viti qeveria ndryshoi procedurat e rimbursimit të TVSH-së. Nëpërmjet një udhëzimi të botuar në Fletoren Zyrtare, Ministria e Financave përcakton që "rimbursimi i TVSH-së të kryhet direkt nga sistemi i Thesarit, ndërsa deri më tani ishte kthyer nga organet tatimore. Në udhëzim përcaktohen edhe afatet se kur duhet të bëhet rimbursimi. Degët e tatimeve në rrethe, brenda 2 ditëve punë nga përfundimi i procesit të verifikimit të kërkesave për rimbursim, nisin njoftimin për degën përkatëse të Thesarit nëpërmjet shërbimit postar. Struktura përgjegjëse e Thesarit në qendër merr masa për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për pagesën e shumës së rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për eksportuesit dhe brenda 60 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për personat e tjerë të tatueshëm. Një tjetër nismë që qeveria ka ndërmarrë për ta lehtësuar akoma më shumë këtë proces është kryerja e rimbursimit të TVSH-së sipas analizës së riskut. Kjo është parashikuar në projektligjin “Për procedurat tatimore”, që është miratuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe parashikohet që së shpejti, të futet në rend të ditës për diskutimin dhe miratimin në seancë plenare. Analiza e riskut parashikon që për bizneset që kanë një historik të mirë të marrëdhënies me tatimet dhe rezultojnë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve tatimore, rimbursimi i TVSH-së të bëhet në mënyrë automatike, pa kryer kontrolle. Në këtë mënyrë, synohet eliminimi i burokracive dhe minimizimi i kohës në kryerjen e procesit të rimbursimit, si dhe stimulimi i bizneseve që të krijojnë një profil të rregullt në marrëdhënien e tyre me administratën tatimore. Në projektligjin “Për procedurat tatimore” saktësohet gjithashtu, që koha e rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit të zbresë nga 90 ditë që është deri më tani në 60 ditë, për shkak të specifikës së këtij sektori. Duhet parë sesi do të zbatohet në praktikë ky projektligj. Në bazë të ndryshimeve të bëra deri më tani, ky premtim konsiderohet i pamatshëm 22. Produktet ‘Made in Albania’. Ne duam që kushtet dhe standardet të jenë evropiane, bashkërisht menjëherë do evidentojmë barrierat fiskale që vonojnë eksportet dhe do eliminojmë të gjitha taksat për importin. Premtimi: Qeveria e ka shpallur një nder prioritetet e saj krijimin e produkteve “Made in Albania”, si një mënyrë për të krijuar brendin shqiptar dhe nxitur konkurueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Përshkrimi i situatës: Ekonomia jonë vuan nga mungesave e brendeve shqiptare ose produkteve “Made in Albania”. Janë të pakta kompanitë qe e kryejnë të gjithë ciklin e
  30. 30. prodhimit në vend, duke siguruar edhe tregjet e shitjes. Ajo që është zhvilluar fuqishëm në Shqipëri është industria fason, ku bizneset importojnë lëndën e parë dhe i prodhojnë produktet në vend, kryesisht tekstilet dhe këpucët sipas modeleve të porositura nga kontraktuesi dhe më pas, i eksportojnë ato. Lulëzimi i industrisë fason në Shqipëri shpjegohet me shfrytëzimin e krahut të lirë të punës në vendin tonë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, për periudhën janar-tetor 2014, eksportet e grupit tekstile dhe këpucë arritën vlerën e 72.4 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 25.5% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe duke qenë 34% e totalit të eksporteve shqiptare. Fakti: Qeveria e ka shpallur një prioritet të saj kalimin nga prodhimi fason drejt ciklit të mbyllur ose ndryshe, krijimit të produkteve “Made in Albania’. Për të mbështetur këtë industri, qeveria miratoi në prill të vitit 2014 paketën e masave në mbështetje të sektorit fason, të hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Paketa për fasonët parashikon 32 masa. Pjesa dërrmuese e tyre parashikon reduktimin e burokracive administrative. Ndër masat kryesore janë Vendimi i Këshillit te Ministrave për uljen e çmimit te tokës për qiratë në 1 euro, nismë me efekt në buxhet prej 24 milionë lekë, zgjidhja e problemit të mbetjeve teknologjike përmes miratimit të Udhëzimit të ri në janar 2014, i cili mundëson uljen e kostos administrative dhe reduktimin e kohës për bizneset, reduktimi i afateve për rimbursimin e TVSH-se brenda 30 ditësh në rastin e tatimpaguesve eksportues, thjeshtimi i procedurave në Zyrat e Punës dhe stimulimi për sigurimet shoqërore që janë realizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përmes miratimit të ndryshimeve në katër VKM dhe krijimit të portalit online për aplikim nga subjektet. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj ka deklaruar më datë 5 nëntor 2014 në seancë plenare në parlament se nga 32 masat e ndërmarra për industrinë fason, janë zbatuar deri më tani 23 masa, ndër to 14 akte ligjore dhe vendime qeverie. Gjithashtu, këtë vit janë parashikuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes 3 programe me vlerë 36 milionë lekë, ku përfshihen Fondi i Konkurueshmërisë, Fondi i Novacionit dhe Fondi për Industrinë Kreative, të cilat gjithashtu, synojnë zhvillimin e produkteve ‘Made in Albania”. Në buxhetin 2015, qeveria ka parashikuar si mbështetje për sektorin fason një shumë prej 2.5 milionë dollarë. Pas paketës mbështetëse të masave për sektorin fason, qeveria do të miratojë një paketë të ngjashme për sektorin e bujqësisë, ku gjithashtu synohet promovimi i produkteve shqiptare. Për të lehtësuar shkëmbimet tregtare, më 24 nëntor, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prezantuan edhe projektin e Procedurave të Thjeshtuara, ku parashikohen disa masa, si mbërritjen e mallrave direkt në ambientet e Operatorit Ekonomik, pa pasur nevojë të kryeje formalitetet në një doganë të brendshme dhe çlirimin e tyre po në këto ambiente; kryerjen e gjithë procedurës së eksportit të mallrave po në ambientet e Operatorit Ekonomik; kostot e magazinimit reduktohen në 0 (zero) etj. Duhet parë sesi do te vijoje zbatimi i masave për sektorin fason dhe masave për lehtësimin e tregtisë. Në bazë të ecurisë se deritanishme, ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar/ për verifikim. 23. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike. Premtimi: Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, rendi dhe rikthimi i sigurisë në vend ishin një ndër premtimet kryesore në programin elektoral të socialistëve.
  31. 31. Shifrat alarmante të ndërkombëtarëve, kryesisht ato të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur më trafikimin e qenieve njerëzore, ishin faktor kryesor që socialistët ta cilësonin luftën ndaj krimit dhe mafies si “emergjencë kombëtare”. Ky cilësim u bë edhe në seancën e parë plenare të Parlamentit, në 14 shtator 2013 nga Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri. Fakte: Aksioni “Fund Marrëzisë” Në 15 tetor 2013, Policia e Shtetit nisi për herë të parë një aksion në mbarë vendin lidhur me bllokimin e lojërave të fatit. Me argumentin se duhet të hiqeshin nga tregu sipërmarrje të paligjshme, të cilat çonin para në duart e botës së krimit, në terren u hodhën rreth 6 mijë forca policore. Vetëm gjatë 5 orëve të para të operacionit u bllokuan 540 ambiente që shërbenin si lojëra fati, të cilat nuk kishin dokumentacionin e rregullt dhe i shmangeshin detyrimeve tatimore. Në fund të këtij operacioni, i cili sipas Policisë së Shtetit u mbyll në 31 dhjetor 2013, rezultoi se u sekuestruan ndër të tjera mbi 3700 pajisje të lojërave të fatit. Po sipas të dhënave të Policisë, shifra e taksave që bizneset e kumarit kishin fshehur arrinte në rreth 110 milion dollarë në vit. Operacioni në Lazarat: Pas më shumë se 20 vitesh rezistencë ndaj Shtetit dhe Policisë, fshati i njohur ndërkombëtarisht për kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike, u bë pjesë e një aksioni masiv që nisi më 16 qershor 2014. Në operacion u përfshinë rreth 800 forca policore. Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat, sipas të dhënave finale të Policisë së Shtetit, u asgjësuan rreth 133.567 rrënjë bimë narkotike dhe fidanë, si dhe u kap një sasi prej 71.087 ton kanabis sativa. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve u gjetën dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit. Armë, tritol, makineta, lojëra fati ishin pjesë e sekuestrimeve të tjera të operacionit mbi 5 ditor. Operacioni në Dukagjin: Pas aksionit në Lazarat, gjatë muajit gusht 2014, Policia e Shtetit nisi një tjetër operacion për identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në Dukagjin, Shkodër. Në përfundim gjatë 8 ditëve të operacionit policor u identifikuan 313 parcela dhe u asgjësuan 136.468 rrënjë bimë narkotike. Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore: Në një intervistë te fundit televizive (tetor 2014) të zëvendës-ministres së Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea gjatë periudhës shtator 2013-tetor 2014, në Shqipëri u evidentuan 88 viktima të trafikimit me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Sipas znj. Gjebrea në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është vend burimi dhe destinacion, por jo transit i trafikimit të qenieve njerëzore, duke mos qenë më në listën e vëzhgimit, por e ngritur një kategori më lartë. Konkluzione: Në progres raportin që Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, i dorëzoi qeverisë shqiptarë më 8 tetor 2014, theksohej ndër të tjera se “Qeveria ka treguar vullnet në luftën kundër krimit të organizuar, kryesisht në luftën kundër lëndëve narkotike, krimit ekonomik dhe trafikimit të qenieve njerëzore”. Ky progres raport në fakt, ishte epilogu i marrjes së statusit të vendit kandidat për BE, i cili erdhi menjëherë pas aksionit të Lazaratit. Ndërhyrja e qeverisë në Lazarat është një premtim i mbajtur, duke i dhënë të drejtën asaj të deklarojë se riktheu Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Por duhet theksuar gjithashtu se aksioni i suksesshëm, erdhi pas një periudhe të vështirë për situatën e rendit, pas shpërthimeve të shpeshta me tritol si dhe pas debatit fillimisht politik, për trafikimin e lëndëve narkotike nëpërmjet ajrit, debat i cili kulmoi në 10 maj 2014, me rënien në Divjakë të një avioni, që transportonte drogë. Ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar/ për verifikim.
  32. 32. 24. Reforma në Arsim. Premtimi: Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, Kryeministri Edi Rama në disa takime që zhvilloi në zona të ndryshme të Shqipërisë, theksoi nevojën për përmirësim imediat të sistemit arsimor në Shqipëri. Disa nga ndërhyrjet që premtoi Rama lidhen me ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, reforma e Maturës Shtetërore në funksion të konkurrencës dhe meritës, shkollat si qendra komunitare, si dhe mbyllja e universiteteve që nuk plotësojnë kushtet. Matura Shtetërore do të reformohet në funksion të konkurrencës dhe meritës: Kryeministri Edi Rama do të deklaronte në një ndër konferencat e tij të para në krye të qeverisë së re, se reforma e Maturës Shtetërore ishte një reformë e domosdoshme. Deklaratat e bëra muajt e fundit të vitit 2013-të, u intensifikuan në nisje të vitit 2014, kur kryeministri dhe Ministria e Arsimit, znj. Lindita Nikolla u shprehën se “kemi nevojë t’i japim shumë më tepër vend meritës dhe të krijojmë shumë më tepër hapësirë për konkurrentët. Duke i dhënë shumë më tepër vend meritës do kemi shumë më tepër sukses, jo thjesht individual, jo vetëm për ju, por edhe për të tjerë që në një sistem motivues janë shumë më pranë suksesit sesa dështimit. Sistemi që kemi sot është një sistem që nuk motivon suksesin dhe e fsheh dështimin. Kush merr notën më të lartë nuk merr atë kënaqësi që i takon as me veten e tij as me mjedisin që e rrethon dhe ai që ka dështuar nuk e merr vesh që ka dështuar”. Fakte: Në prill 2014, pas procesit të regjistrimit online të Maturës Shtetërore, Ministria e Arsimit, deklaroi se rriti pragun e kalimit. E thënë ndryshe në testimet e maturantëve, ata duhet të merrnin 10 pikë pra 20 % për të qenë kalues. Ndërsa vlerësimi i mesatares së 3 viteve në Maturën Shtetërore u ndryshua nga 20 % në 26%. MSH për 2013-2014 përfshiu rreth 14.350 maturantë. Pas përfundimit të provimeve, Ministria e Arsimit, deklaroi se për herë të parë Matura Shtetërore u mirë-administrua. Sipas Ministres Lindita Nikolla, rritja e pragut të kalimit bëri që në universitetet publike për vitin e ri akademik, të ketë një cilësi më të lartë në të pranuarit, se në vitin e shkuar. Në 24 nëntor 2014, Ministria e Arsimit dhe Sportit, prezantoi një raport publik të Maturës Shtetërore 2013-2014. Duke e quajtur një studim shkencor, znj. Lindita Nikola deklaroi se ky raport publik është tregues për reformën si dhe tregues për nevojën e tekstit unik. Në studim u sollën për herë të parë edhe shifra lidhur me rezultatet sipas qarqeve të vendit apo lëndët me zgjedhje që sollën rezultate të mira e ato që sollën probleme për maturantët. Mbyllja e universiteteve private që nuk plotësojnë kushtet: Në mars të vitit 2014, në zbatim të Urdhrit nr. 106, datë 28.03.2014 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit “Për kryerjen e kontrollit të zbatimit të ligjshmërisë në institucionet publike dhe jopublike të arsimit të lartë”, Sektori i Mbikëqyrjes së Zbatimit të Legjislacionit të Arsimit të Lartë, pranë ISHA, u angazhua në procesin e kontrollit të 59 institucioneve të arsimit të lartë që ushtrojnë veprimtarinë akademike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kontrolli i realizuar nga MAS në muajin prill 2014, u finalizua me:  heqjen e licencës për 18 institucioneve të arsimit të lartë privat;

×